Shefja e Spitalit Infektiv Covid-2, Najada Çomo, sqaroi situatën para këtij spitali, ku sheshpushimi shihet i mbushur me ambulanca.

Çomo tha se aty qëndrojnë ambulancat e reja, ambulancat zyrtare të spitalit, si dhe ambulancat që sjellin pacientë apo që marrin pacientët që dalin nga spitali.

“Në sheshpushimin e spitalit Covid-2 ka ambulanca. Janë 4 ambulanca të reja, që janë të instaluara aty, 2 ambulancat tona zyrtare, si dhe ambulancat e tjera që sjellin pacientë. Ambulanca nuk është vetëm për të futur pacientë, por edhe për daljen e pacientëve”, tha Çomo.

Nga ana e saj, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, deklaroi se vaksinat janë arma më e fuqishme për të këputur zinxhirin e infeksionit dhe për të kontrolluar pandeminë.

“Vaksina e Pfizer, dhe një seri vaksinash të tjera, janë vaksina me dy doza. Është një moment shumë i rëndësishëm, pasi vaksina është arma më e fuqishme për këputjen e zinxhirit të infeksionit dhe për të kontrolluar pandeminë. Kemi përballë shumë të panjohura, jemi duke u përgatitur që të kemi në kohë informacionin në kohë reale. Qeveria shqiptare ka siguruar përmes kontraktimit me Pfizer dhe Covax vaksina për 800 mijë qytetarë shqiptarë, ku përfshihen kategoritë e riskut. Është një plan vaksinimi, që përmban grupet e riskut. Ne kemi filluar me ata që janë në vijën e parë të luftës kundër infeksionit. Kemi vijuar dozën e dytë për personelin që u vaksina në fillim të janarit. Po rrisim dozat e vaksinimit dhe brenda shkurtit do të kemi dozat e reja të vaksinës nga Pfizer”, u shpreh ministrja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb