ELBASAN- Policia e Elbasanit ka goditur një aktivitet kriminal në fushën e falsifikimit të dokumenteve dhe ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve kundrejt fitimit.

Operacioni ka ardhur pas një hetimi disa mujor me metoda Speciale të Hetimit duke arrestuar 2 organizatorët e rrjetit që pajisnin me dokumente false shqiptarët për t’i dërguar më pas drejt Anglisë e Gjermanisë.

dokumente false (1)

Sekuestrohen pasaporta biometrike, dokumente dhe certifikata të falsifikuara, si dhe 850 euro.
Nga ana e Seksionit për trafiqet e Paligjshme në DVP Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, është finalizuar me sukses operacioni “PREMTIMI”, ku është bërë e mundur kapja e dy personave të shpallur në kërkim dhe ekzekutimi i vendimit Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, e cila më datë 04.06.2018 ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për dy shtetasit:
• Musa Rama, 60 vjeç, lindur në Librazhd, dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë.
• Arben Hako, 51 vjeç, lindur dhe banues në lagjen nr.1, Durrës, i dënuar më parë.

dokumente false (2)

Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin kryenin këtë aktivitet kriminal prej disa kohësh në territorin e Shqipërisë, përkundrejt përfitimit ku mundësonin dërgimin e shtetasve të ndryshëm në drejtim të Anglisë, Gjermanisë e vendeve të tjera të Europës, duke e bërë të mundur me falsifikimin e dokumenteve dhe përdorimin e formave dhe metodave të tjera, përkundrejt shumave në vlera 10 mijë deri në 16 mijë euro për person.

Nga kontrolli i banesave të shtetasve të lartpërmendur, janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale një automjet me targa AA 630 OD, shtatë telefona celularë, 14 pasaporta biometrike të shtetasve të ndryshëm, 80 copë dokumente në gjuhën shqipe dhe gjermane, 35 copë certifikata personale dhe familjare shtetasish të ndryshëm si dhe 13 copë certifikata shkolle dhe trajnimesh, dhe një sasi parash prej 850 euro.

Kapja e këtyre shtetasve u bë nga Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë. Vazhdon puna hetimore edhe ndaj personave të tjerë bashkëpunëtor të implikuar në këtë aktivitet kriminal. Materialet ju dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb