Nga: BEN ANDONI*
TIRANE – Ka qenë një rastësi e bukur. Me një zyrtar të Ambasadës Suedeze në Tiranë, po punonim për një komision zgjedhor në Stokholm dhe aty biseduam rreth Santa Lucias, që është një festë shumë tradicionale në Suedi. Aty si të thuash u iniciua vizita jonë në Tiranë”. Sun Erkenstein ndalon pak që t’i japë mundësi organistit të grupit Consensus Gospel choir të futet normalisht në bisedë. Ai, shumë timid, dëgjon dhe pak minuta më pas do na flasë teknikisht për artin e këtij grupi. Fjali të shkurtra dhe shpesh me një si pëshpërimë.
Znj. Erkenstein nuk ka hezituar aspak pastaj, kur është ftuar në Tiranë. Me një grup, të krijuar prej vitesh, t’ardhur nga profesione të ndryshëm dhe që interpretojnë atë që dinë të bëjnë më
mirë në kënaqësinë e tyre të muzikës, ata kanë dhënë një koncert gratis në sheshin e madh , në aktivitetet e Bashkisë së kryeqytetit. Repertori i këndshëm, mënyra e interpretimit të kësaj gjinie, i ka bërë për vetë tiranasit, që i kanë kthyer shpesh dhe i kanë duartrokitur.
Consensus, prej vitesh, e ka formuar individualitetin e vet që mund ta dallosh qartë me talentin e tyre dhe artin e mrekullueshëm kishtar, ndërsa në Tiranë e kanë prezantuar për një publik, për hir të së vërtetës jo shumë të mësuar me të. E pyetur për Shqipërinë, pas një buzëqeshje klasike që shoqëron nordikët kur pyeten për vendin tonë, Erkenstein ka folur shumë pak, por qartë: “T’ju them të drejtën e njihja fare pak. Ajo që më vinte më shumë në mendje kur përmendej Shqipëria ishte drejtuesja e Festivalit Evropian kur thërriste ‘Albania 2 points’… (Qesh)!shtë një vend fantastik dhe me një mot kaq të mirë, sa suedezët do ta quanin parajsë. Vendi juaj po zhvillohet shpejt dhe është si të thuash në rrugën e vet”, shton.
Shpesh në ditët shqiptare të qëndrimit, Consensus Gospel choir ka interpretuar ekstra dhe kurrë duke kërkuar që të ndalonte ose të shfaqte besdi. Dhe, nëse grupi vetë mund të mos thotë shumë si emër për njohësit e muzikës në përgjithësi, për publikun e gjerë shqiptar, interpretimi dhe repertori i tyre ka qenë i mrekullueshëm. Ata kanë sjellë një repertor të pasur dhe shpesh ekstra për publikun shqiptar të kryeqytetit, ndërsa në ditën e fundit edhe në një Kishë në Tiranë. Sun Erkensten, drejtuese e korit, ka treguar se jo vetëm dinte të krijonte përmes interpretimit të mrekullueshëm një situatë të këndshme mes besimtarëve katolikë, por edhe më shumë akoma, të ishte një artiste tepër komunikuese. “Çka e bën të veçantë të kënduarin në grup është se ne vendosim shpirtin aty dhe … nuk ka asgjë artificiale”, ka shpjeguar Erkenstein për grupin, që vijnë nga fusha të ndryshme si shkencëtarë, mjekë. “Ata kanë profesione nga më të ndryshmit, por kjo nuk ka rëndësi. Ajo që na bashkon është muzika. Bëjnë prova një herë në javë. Zakonisht të enjteve”, sqaron duke cilësuar se e gjitha që i bashkon është muzika.
Consensus Gospel Choir është një kor me shumë patos, që interpreton me shumë nerv dhe ritëm, ku realisht rrënjët e kulturës së zezë përzihen me stilin e këngës evropiane së kësaj gjinie. Të 15 këngëtarët e grupit të saj reflektojnë jo vetëm stilin klasik të ritmit ungjillor me një timbër shumë modern, por edhe përpjekjen që të përcjellin frymën katolike në kohën tonë. Grupi që e ka filluar jetën në fillim të viteve ‘90 i takon Kishës së Kryqit në Stokholm.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb