Kryeministri italian është i mendimit se dakordësia për planin e rimëkëmbjes nga pandemia e koronavirusit po del më e ndërlikuar nga sa pritej, në samitin e posaçëm të BE-së për këtë çështje.

“Ne kemi ngecur dhe po dëshmohet të jetë shumë e ndërlikuar, më e ndërlikuar sesa pritej”, tha Conte në një shënim në FB.

“Ka shumë çështje për të cilat ne ende po diskutojmë se nuk jemi në gjendje t’i zgjidhim”, theksoi ai.

Në ditën e dytë të samitit, presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel ka paraqitur sot një propozim të ri për një paketë të diskutueshme të rimëkëmbjes së BE, sipas një dokumenti të parë nga agjencia gjermane e lajmeve, DPA.

Pakoja e përgjithshme prej 750 miliardë eurosh (855 miliardë dollarë) do të mbetej e pandryshuar, sipas propozimit të ri, por bilanci midis granteve dhe kredive ndryshohet.

Nga 500 miliardë euro në grante dhe 250 miliardë euro kredi, ky bilanc ndryshohet respektivisht në 450 miliardë euro në grante dhe 300 miliardë euro kredi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb