Nuk është një periudhë e mirë kjo për kampionët në fuqi të Premier League, Chelsea. Humbja e fundit kundër Arsenal të Arsene Wenger i ka kushtuar pjesëmarrjen në finalen e “Carabao Cup” dhe zhgënjimi i trajnerit italian të “Bluve të Londrës”, Antonio Conte është i madh. Për më tepër kur merr në konsideratë faktin që në Premier League Chelsea është shumë larg nga kreu i klasifikimit që mbahet nga Manchester City dhe që në të 16-tat e Champions League do të përballet me Barcelonën në superformë.

Klubi londinez po tenton të përforcojë kontigjentin të ish-trajnerit të Juventusit dhe Italisë, duke i vënë në dispozicion Ross Barkley, mesfushorin e blerë nga Everton, ndërkohë që po punon për të afruar në “Stamford Bridge” dy futbollistët e Romës, Emerson Palmieri dhe Edin Dzeko, por vetë Conte preferon të mos zgjatet shumë në këtë argument. Përkundrazi, tekniku italian ka preferuar të dërgojë një mesazh të qartë për drejtuesit e lartë të klubit, shkruan telesport.

“Është klubi ai që vendos mbi çdo futbollist, secili ka një situatë të veçantë, në disa prej tyre edhe mund të kem një impakt të lehtë, ndërsa në të tjerat, aspak. E sigurtë është që nuk kam shumë pushtet në kapitullin e merkatos, në blerje apo dhe në shitje. Kur organika e ekipit nuk është e mjaftueshme, atëherë duhet të luash me të njëjtët futbollistë. Në këtë sezon kam bërë shumë rotacione, edhe sepse do të ishte çmenduri të luash gjithmonë me të njëjtët futbollistë në të gjitha kompeticionet. Por kjo gjë nuk është e lehtë dhe natën nuk më zë gjumi”, deklaroi trajneri i Chelseas, Antonio Conte.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: