Kryeminstri italian, Giuseppe Conte paralajmëroi Bashkimin Europian për rrezikun e dështimit përballë krizës së koronavirusit, sfidës më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore, në një intervistë për BBC, publikuar sot.

“Nëse nuk e shfrytëzojmë këtë mundësi për t’i dhënë një frymë të re projektit europian, rreziku për dështim është real”, konfirmoi ai.

“Drejtuesit europianë kanë një takim me Historinë që nuk mund ta humbin”, shtoi Conte.

Këto deklarata u bënë ndërkohë që ministrat europianë të Financave nuk arritën të binin dakord, pas një nate të gjatë diskutimesh, për një përgjigje ekonomike të përbashkët përballë koronavirusit. Vendet e Veriut, veçanërisht Holanda, mbeten kundër atyre të Jugut.

Vendet më të prekura nga COVID-19, veçanërisht Italia, vazhdojnë të kërkojnë krijimin e një intrumenti të borxhit të përbashkët, në formën e eurobonove, të ashtuquajtura ndonjëherë “koronabond” ose “eurobond” dhe dëshirojnë një përdorim të Mekanizmit Europian të Stabilitetit (MES) pa kushte.

MES u krijua në vitin 2012 gjatë krizës së borxhit në zonën euro për të ndihmuar shtetet që përballen me probleme të financimit në tregjet.

Bashkimi i borxheve është një linjë e kuqe për Berlinin dhe Hagën, që refuzojnë të angazhohen në një kredi të përbashkët me shtetet me shumë borxhe në Jug, që i konsiderojnë të dobëta në menaxhimin e tyre.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: