Në një lidhje Skype për emisionin “Alert”, në News24 nga Granit Sokolaj nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Andi Seferi ka folur për coronavirusin në vend dhe masat që janë marrë nga institucioni i bashkisë. Ai deklaroi se jemi në një luftë që duhet të kontribuojmë të gjithë sëbashku, ku bashkia ka bërë pjesën e saj me dezinfektimin e rrugëve, parqeve, kudo.

“Coronavirusi është një luftë mes njerëzimit dhe virusit, ku duhet ta luftojmë të gjithë bashkë. Edhe Bashkia e Tiranës ka filluar dizenfektimin, më konkretisht në rrugë, stola, parqe, kudo. Është një plan i detajuar që nëpërmjet administratorëve të dezinfektohen ambientet e përbashkëta të banesave dhe ashensorëve, ndërsa për pallatët pa administratorë ka hallkë tjetër që është pushteti vendor, ndërlidhësi komunitar, administratori i njësisë. Janë numrat tanë të vënë në dispozicion për qytetarët, të cilët mund të bëjnë kërkesë për dezinfektim”-tha Seferi.

Në lidhje me dezinfektimin e shkollave dhe çerdheve, Seferi tha se drejtoritë përkatëse janë në terren dhe në momentin kur do rihapen do ketë një dezinfektim paraprak të tyre.

“Doja të bëja një thirrje për të gjithë të mos lëvizni, të qëndroni në banesa. Është një luftë ku gjithsecili duhet të japë kontributin. Drejtoritë përkatëse janë në terren, të fokusuar në dezinfektimin e shkollave, çerdheve. Në momentin që do rihapen do shoqërohen me dezinfektim paraprak, ndërsa në lidhje me rihapjen e tyre është vendim që i takon Ministrisë së Arsimit, qeverisë”-u shpreh nënkryetari i bashkisë së Tiranës.

E rrezikuar më shumë nga pandemia është mosha e tretë, për të cilën Seferi tha se po ofrohen shërbime në 5 qendra të vaktit të ngrohtë, ndërsa vëmendjen e bashkisë do kenë edhe familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Po ofrohen shërbime në 5 qendra sociale. Shtresa e tretë e rrezikuar nga pandemia, ndaj personeli i qendrave po bën shpërndarjen e vaktit të ngrohtë. Kategoria e prekur nga tërmeti, jeton në kushte më të vështira, në kontenierë dhe çadra. Kanë vëmendjen e kujdesit të Bashkisë së Tiranës, ku do shpërndahen ushime në kontenierë e në çadra. Është një luftë që fitohet me solidaritet, nga të gjithë ne”-theksoi Seferi.

Përsa i përket abuzimeve me çmimet, Seferi tha se qytetarët duhet të denoncojnë. Ai foli edhe për aksionin për pastrimin e koshave të mbeturinave, nga 3 herë që bëhej në 5 herë brenda ditës. Përsa i përket vendimit për shtyrjen e afatit të kredive, Seferi tha se nuk mund t’i nxirrnin qytetarët në rrugë për plotësimin e dokumenteve, në kohën kur janë të vetëizoluar, ndërsa kjo procedurë do vazhdojë kur të këlojë situata.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: