Bayern Munich po përgatitet për një revolucion të vërtetë në fund të këtij sezoni. Philippe Coutinho është i pari në listën e largimeve, pasi klubi bavarez nuk do të blejë përfundimisht kartonin e tij. I transferuar nga Barcelona në formë huazimi për 8.5 milion euro dhe me opsion blerje për 120 milion euro të tjera, sulmuesi brazilian nuk ka bindur kampionët e Bundesligës.

Si pasojë ai do të rikthehet në La Liga në fund të sezonit. I njëjti diskutim edhe për Ivan Perisic. Edhe kroati kaloi te Bayern në formë huazimi nga Inter. Pavarësisht se ka gjetur vend në formacion, ai nuk bën pjesë në planet e së ardhmes. Ndërkohë, sipas “Bild”, revolucioni i bavarezëve do të jetë I gjithanshëm, duke përfshirë edhe disa prej senatorëve si Thomas Muller, Manuel Neuer dhe Jerome Boateng.

Të tre në skadencë të kontratës pritet të largohen. Të njëjtën rrugë do të ndjekin edhe Thiago Alcantara me Javi Martinez. Këto zëra mbështeten edhe te lëvizjet në merkato, ku Bayern Munich ka siguruar që tani shërbimet e disa lojtarëve për sezonin e ardhshëm.
(balkanweb)