Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi ka reaguar sërish pas rasteve të shtuara të qytetarëve me COVID 19 në këtë qytet.

Kryebashkiakja Voltana Ademi tha se vatrat po shtohen në disa institucione, siç është spitali, policia dhe ndërmarrja e fasonerisë që ka qenë aktive gjatë këtyre ditëve.

“Rastet e reja lidhen më së shumti me Spitalin e Shkodrës, në fasoneri dhe pastaj janë të tjera që kanë lidhje me familje që tashmë janë verifikuar me COVID-19. Kjo lidhet me prezencën e të infektuarve në shtim në institucione, duke filluar së pari në spital, me policinë dhe në institucione apo subjekte, ku kanë funksionuar më së fundmi siç janë fasoneritë dhe është subjekti i dytë që ka këtë problematikë. Ka një numër të rritur të testimeve.

Shkodra po vërteton se nëse ne do të rrisim testimet, do të kemi të indentifikuar të prekur, sikurse është realiteti. Që dua të them që pavarësisht se kemi shkuar 50, 54, 48 në ditë, në çdo ditë kemi një rritje proporcionale me të njejtin ritëm, të atyre që vërtetohen, pikërisht në disa vatra që janë institucionet më së shumti dhe po e theksoj këtë disa herë:që duhet të këtë një vëmendje për një ndryshim strategjie pune, testimi dhe diagnostikimi në Shkodër. Ne kemi thënë në përgjithësi rritjen e testimeve. Ne nuk i kemi kushtet ndoshta që t’i testojmë në nivel komunitar të gjithë dhe kjo është e kuptueshme, por unë kam kërkuar me anë të një shkrese drejtuar institucioneve për nevojën për testime që është domosdoshmëri. Nëse kjo do të bëhet për atë që janë më të rriskuarit dhe që u duhet të dalin në rrugë për të kryer shërbimin ndaj të tjerëve dhe apo dhe për familjen, mendoj se kështu mund të kemi ezauruar një nevojë të domosdoshme. Kjo do të ndihmoj edhe për një strategji daljeje nga situata. Duhet të ndjekim shembullin e vendeve që kanë ndjekur këtë strategji”, -tha ajo.

Në një deklaratë për median është shprehur se problemi më i madh në këtë situatë të rënduar nga infeksioni me COVID-19 në Shkodër është mos marrja e përgjegjësive shtetërore, për të zbatuar protokollet në lidhje me situatën e krijuar.

“Fatkeqësia shumë e madhe është që kjo çështja e bashkëpunimit të ndërsjellë është bërë si një bombë e madhe që do shpërthejë pandeminë. Tani, kjo është shumë e rëndë edhe të vazhdohet të trumbetohet mendoj se është e pavend. Ajo që ka munguar në Shkodër dhe po e ritheksoj, lidhet me faktin e një mungesës së një përgjegjësie për t’ju qasur nevojës së domosdoshme, për t’ju përgjigjur asaj që ka qenë ekzigjente dhe domosdoshmëri në Shkodër. Nëse unë kam thënë kujdes spitalin, kujdes protokollin e shtrimeve në spital. Nëse unë kam thënë të rritet numri i testimeve, në fakt tani po rritet numri i testimeve në krahasim me përpara”, –  deklaron kryebashkiakja Ademi.

Kryetarja e bashkisë më të madhe të veriut të vendit dhe një nga 3 bashkitë më të mëdha të vendit denoncon raste të shumta kur familjeve që kanë kërkuar tu bëhet testi për koronavirusin janë refuzuar nga instucionet përgjegjëse shëndetësore.

“Unë jam e bindur dhe ka denoncime në Shkodër që janë familje të tëra në shtëpi, që nuk e kanë pasur të mundur t’u bëhet testi apo që kanë raportuar te 127 dhe nuk u është bërë testi. Prandaj, ky çekani që bie nuk ka lidhje me bashkëpunimin, por me nevojën që duhet të merren përgjegjësi, që nuk mund t’u lihen vetëm njerëzve për t’iu kërkuar që të izolohen. Kjo është një masë që tregon se shteti nuk ekziston dhe shteti nuk të përgjigjet në testim. Fakti që kjo u lihet vetëm qytetarëve, mendoj se kjo nuk është e drejtë. Kjo është ajo trumbetimi që kam bërë unë për të marrë disa përgjegjësi”,  shprehet në deklaratën e saj të përsëritur zonja Ademi.

Kryebashkiakja e Shkodrës apelon institucionet që të rrisin urgjentisht dhe në masë sa më të madhe testimet si e vetmja mënyrë për të frenuar infeksionin.

“Që nga data 28 shkurt dhe deri në 6 prill  mua më është raportuar se janë 168 testime. 6 prilli jemi para dhjetë ditësh dhe sot niveli i testimeve është 467 në Shkodër. Kjo është një indikator i vogël, por që tregon  se me rritje e testimeve do të identifikoheshin të gjitha ata që ishin të sëmurë”, – përfundon deklaratën e saj kryetarja e bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi.

Sot në Shkodër ka pasur 11 raste të reja me COVID 19 duke e çuar në 94 numrin e të infektuarve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb