Qeveria britanike njoftoi dje planin për të testuar një sistem të pasaportave shëndetësore në Angli nga mesi i prillit, me qëllim rinisjen e aktiviteteve të prekura rëndë nga pandemia, një projekt që do të detajohet sot nga kryeministri Boris Johnson.

Johnson pritet të shpallë edhe rregulla të reja për pushimet jashtë vendit, të ndaluara të paktën deri më 17 maj.

“Ne po bëjmë gjithçka që është e mundur për të lejuar rihapjen e vendit tonë (…) në mënyrën më të sigurt të mundshme”, tha udhëheqësi konservator në një deklaratë.

“Kështu, një “vërtetim i statusit Covid”, që tregon se një person është vaksinuar, është negativ për COVID-19 ose ka antitrupa, do të zhvillohet gjatë disa muajve të ardhshëm, për të lejuar tubime masive”, shtoi Johnson.

Pasaporta nuk do të kërkohet në transportin publik dhe dyqanet thelbësore ose në pub-et, kur ato të rihapen.

Në lidhje me udhëtimet jashtë vendit, qeveria britanike po planifikon një sistem semafor për të klasifikuar vendet sipas shkallës së përparimit të fushatës së tyre të vaksinimit, shkallës së tyre të ndotjes ose pranisë së varianteve.

Destinacionet e gjelbra do të përjashtohen nga karantina në kthim, ndryshe nga vendet portokalli dhe të kuqe. Lista e vendeve nuk është përcaktuar ende.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb