Parlamenti finlandez miratoi sot krijimin e një “pasaporte korona”, edhe pse zbatimi aktual i saj mbetet i pasigurt, për shkak të përmirësimit të situatës shëndetësore në vendin nordik.

Projekti është planifikuar të nisë në fillim të tetorit, me ekzekutivin finlandez që shpreson të heqë kufizimet kundër COVID-19 në mes të tetorit, atëherë kur shpreson të ketë vaksinuar 80 për qind të popullsisë mbi 12 vjeç.

Deri më sot, është vaksinuar vetëm 66,6 për qind e popullsisë.

“Parimi është se nuk do të ketë nevojë për pasaportë shëndetësore”, njoftoi ministrja e Shëndetësisë, Krista Kiuru, gjatë një konference për shtyp.

“Megjithatë, certifikata e imunizimit mund të jetë e nevojshme në zona të caktuara, në rast shpërthimesh të rëndësishme, me kufizime të tjera”, saktësoi ajo.

Kiuru argumentoi se “pasaporta shëndetësore finlandeze nuk është një kufizim, por një çlirim nga kufizimet”.

Finlanda është një nga vendet me shifrat më të ulëta të COVID-19 në Evropë, me 1 000 vdekje dhe 137 000 raste për gati 5,5 milionë banorë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb