Parisi nuk dëshiron që Gjermania të mbyllë plotësisht kufijtë me Francën, deklaroi sekretari francez i Shtetit, i ngarkuar me Çështjet Europiane, Clement Beaune, ndërkohë që Berlini ka mbyllur pjesërisht kufijtë e tij me Republikën Çeke dhe Austrinë, për të frenuar përhapjen e varianteve të koronavirusit.

Qeveria gjermane ka lënë të kuptohet se mund të bëjë të njëjtën gjë dhe me Francën në ditët e ardhshme, për shkak të situatës shëndetësore në departamentin francez të Moselle, ku është konstatuar një progres i variantit të ri afrikano-jugor, shumë përhapës.

“Nuk dëshiroj që Gjermania të mbyllë plotësisht kufirin me Francën”, nënvizoi për Franceinfo sekretari i Shtetit, duke bërë thirrje për një bashkëveprim për të shmangur këtë skenar.

“Nëse Gjermania do të kufizonte më tej qarkullimin drejt Francës, unë do të doja që ne të përcaktonim së bashku përjashtimet më të gjëra të mundshme. Ne kemi dy shqetësime kryesore, transporti rrugor, dhe punonjësit e kufirit. Për këta njerëz, është një pyetje të aftësisë për të punuar dhe për të fituar jetesën”, nënvizoi ai.

“Ne do të bëjmë gjithçka në diskutime, në mënyrë që të mos ketë një vendim që nuk është i koordinuar, në mënyrë që të mos ketë surpriza të pakëndshme”, theksoi ai duke shtuar se do të takohej  me drejtuesit e rajoneve kufitare gjermane me Francën.

“Në lidhje me vendimin gjerman për të mbyllur pjesërisht kufijtë e saj me Republikën Çeke dhe Tirolin austriak, unë nuk besoj se ka pasur një debat me Komisionin Europian”, theksoi Beaune.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb