Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta deklaroi se sot shëndetësia shqiptare është në kolaps për shkak të keqqeverisjes, ndërsa këtë sektor e nxori ‘zbuluar’ pandemia e COVID-19.

Në një tryezë për shëndetësinë, Meta theksoi se qeveria tentoi që të fshihte shifrat e viktimave nga COVID-19, ndërsa shtoi se janë keqpërdorur fondet për këtë fatkeqësi.

“Shëndetësia para se të kërkojë para, kërkon zemër. Kërkon zemër në qendër të vendimeve që do të marrim. Ta mendojmë si njerëz që kanë probleme shëndetësore. Nuk ka gjë më të rëndësishme si shëndeti. Kujtohemi shpesh për shëndetin kur e humbasim, ose kur e kemi në momente kritike.

Politikat parandaluese janë më të favorshme për shtetin. Lekët janë për shëndetin. Një shtet i përgjegjshëm e ka prioritet shëndetin. COVID-19 testoi sistemin tonë shëndetësor dhe atë rreth nesh dhe tregoi se kemi mjekë të jashtëzakonshëm, dhe infermierë të jashtëzakonshëm që u sollën si heronj. Një pjesë e tyre për fat të keq humbën jetën në këtë betejë.

Kjo gjë tregoi jo vetëm humanizmin e mjekëve, por njëkohësisht tregoi çorganizimin e sistemit tonë shëndetësor. Tanket dilnin për të penguar virusin, një herë thuhej; vini maskat dhe një herë jo. Pesha e shpenzimeve të shqiptarëve u rritën shumë pasi u mbyll gjithçka. U harxhuan 270 mln euro nga familjet shqiptare për të përballuar këto kosto. Shëndetësia është në kolaps të frikshëm për shkak të një politike të frikshme, këtë gjë e tregoi dhe pandemia se si u manipuluan shifrat e vdekjeve. U bënë tendera sekretë për përballimin e kësaj pandemie. Duhet të vendosim zemrën në gjithë vendimmarrjen tonë për sa i takon shëndetit.”, tha Meta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb