Irani, vendi më i prekur në Lindjen e Mesme nga pandemia COVID-19, ka rihapur kufijtë e tij për turistët e vaksinuar, pas gati 20 muajsh mbyllje për shkak të krizës shëndetësore, njoftuan autoritetet.

“Me kërkesë të ministrisë, Komiteti Kombëtar për Luftën kundër Koronavirusit ka miratuar hapjen e kufijve të vendit për turistët e huaj”, thuhet në deklaratën e zëvendësministrit iranian të Turizmit dhe Trashëgimisë Kulturore.

“Turistët që kanë marrë dy doza të vaksinës kundër COVID-19 dhe që paraqesin një certifikatë negative të testit PCR prej më pak se 96 orë mund të marrin një vizë”, tha agjencia e lajmeve Isna, duke cituar deklaratën.

Megjithatë, ky vendim nuk përfshin udhëtarët nga vendet që konsiderohen “me rrezik të lartë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë”.

Irani i mbylli kufijtë e tij në mars 2020 për shtetasit e huaj, me përjashtime të rralla, disa javë pas njoftimit zyrtar të rasteve të para të virusit në vend.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb