Duke nisur nga 16 prilli, Italia do të ketë pjesë të “armatës” së vaksinave ndaj COVID-19 edhe dozat e krijuara nga kompania farmaceutike Jonhson & Johnson.

Lajmi është bërë i ditur nga Komisioneri për urgjencën COVID-19 në Itali, Francesco Paolo Figliuolo.

Ai tha se aktualisht në të gjithë Italinë ka vonesë vaksinash për shkak të vonesave të porosive, e shtoi se doza e siguruar nga kompania Johnson & Johnson, sasia e të cilave nuk dihen ende, do të shërbejnë për të rinisur vaksinimin masiv të popullatës.

Nga kjo e hënë, më shumë se gjysma e vendit do të shpallet zonë e kuqe.

Kalabria, Toskana dhe Valle d’Aosta do t’i shtohen 7 rajoneve dhe provincës autonome të Trentos në të cilën janë në fuqi kufizimet më të vështira, ndërsa Lazio është përsëri në portokalli.

Me 24 mijë raste të reja dhe 450 vdekje në një ditë, qeveria konfirmon ashpërsinë maksimale edhe pas Pashkëve. Në të gjithë zonat e kuqe, mësimi do të vijojë deri në klasën e gjashtë, ndërsa në ato portokalli, të gjithë nxënësit deri në klasën e 8 dhe 50% e nxënësve të shkollës së mesme do të jenë në klasë.

Deri më 30 prill nuk do të ketë asnjë lëvizje midis rajoneve, grila të ulura akoma për bare dhe restorante, rihapja e palestrave, pishinave, kinemave dhe teatrove do të jetë në një datë të mëvonshme, zona e verdhë u anulua deri në fund të muajit.

“Masat e miratuara deri më tani na kanë dhënë shenjën e parë të ngadalësimit, por situata është ende delikate”, thotë Ministri i Shëndetësisë, Roberto Speranza.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb