Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi deklaroi sot se qeveria po bën gati një paketë mbështetëse për industrinë turistike.

“Sektorët e turizmit e të industrisë fasone dhe njësitë prodhuese në tërësi, do të mbështeten në paketën që do të publikohet javës që vjen”, deklaroi Klosi.

“Durim, mirëkuptim dhe bashkëpunim. I mbetem bindjes se turizmi nuk do të jetë pacienti 0, por “Pëllumb Pipero” i ekonomisë shqiptare”, deklaroi Klosi.

Ministri Klosi theksoi më tej, se brenda javës tjetër do të përgatitet rregullorja e standardeve bazë të sigurisë për njësitë ekonomike të shërbimit që do të hapen në javët e mëtejshme.

Po ashtu, ai informoi se javën që vjen do të publikohet paketa e zgjeruar e mbështetjes financiare, për të lehtësuar drejtpërdrejtë bizneset e vogla që u goditën ndjeshëm në xhiron e tyre si pasojë e luftës, si agjenci turistike, rrobaqepësi e mobilieri të vogla, hidraulikë, elektricistë, fizioterapi, kancelari, servise makinash e lavazhe të licencuar, etj., përfshirë edhe shoferët e taksive e të linjave të transportit urban e punonjësit e tyre.

Mbështetje, tha ai, do të marrin edhe punonjësit e bizneseve të mëdha, që bazuar në listëpagesat e fundit të ditës së djeshme, figurojnë të goditur nga lufta në vendin e tyre të punës, të cilëve do t’u sigurojmë mjetet e nevojshme financiare të rezistencës për 40 ditët vendimtare në vijim, duke mbajtur parasysh se një pjesë e madhe e tyre mund të rikthehen në punë deri në fund të majit dhe se paketa mund të rizgjerohet, sipas dinamikës e nevojave të luftës në 10-ditëshin e fundit të muajit maj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb