Kolegji Zgjedhor i cili do të shqyrtojë ankesat për zgjedhjet e 25 prillit 2021, do t’i zhvillojë seancat gjyqësore, pranë godinës së Polit të Drejtësisë. Zhvendosja e këtij institucioni lidhet me situatën e krijuar nga përhapja e Covid-19.

Sipas ligjit, Kolegji Zgjedhor e ushtron veprimtarinë e tij pranë Gjykatës së Apelit Administrativ, por aktualisht kjo ishte e pamundur, përderisa sallat e gjykimit në këtë institucion janë të vogla dhe është e pamundur të ruhet distanca fizike mes palëve në proces, çka mund të bëhet shkak për përhapjen e koronavirusit. Në këto kushte, Apeli Administrativ i kërkoi Këshillit që të gjendeshin ambiente të përshtatshme, ku Kolegji të zhvillonte proceset.

“Në kushtet e pandemisë dhe në zbatim të akteve për masat mbrojtëse ndaj parandalimit të përhapjes së SARS-Cov-2, salla e vetme e gjykimit funksionale që mund t’i shërbej Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor është Salla nr. 2. Nga analiza që është bërë për të zbatuar korrektësisht aktet për parandalimin e përhapjes së SARS-COV-2, nuk mund të qëndrojnë më shumë se 10 persona. Ndaj kërkojmë nga ana juaj që të garantohen ambiente të përshtatshme që kolegji të ushtrojë normalisht veprimtarinë”.

Pasi shqyrtoi kërkesën, qeveria e gjyqësorit vendosi që t’i vërë në dispozicion Kolegjit sallën e madhe pranë Polit të Drejtësisë. Në këtë mënyrë, garantohet edhe aksesi i të gjitha palëve, përfshirë edhe mediat e vëzhguesit ndërkombëtar, që mund të kenë interes për çështjet.

Por ndonëse seancat do të zhvillohen pranë godinës së Polit, ankesat që mund të kenë subjektet politike dhe kandidatët në lidhje me ecurinë e procesit zgjedhor, apo rezultatet, do të duhet të paraqiten pranë Gjykatës së Apelit Administrativ.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb