I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, mjeku Besnik Jakaj ka deklaruar se Shqipëria ndodhet në një kolaps të plotë të sistemit shëndetësor dhe se shifrat e të vdekurve nga covid-19 janë më të larta se ato që raportohen. Jakaj ngriti alaramin se jemi vendi me shifrat më të larta në botë të viktimave në intubim.

“Shqiptarët po kalojnë kalvar vuajtjesh në të gjitha drejtimet. Qytetarët kanë humbur besimin. vdekje në ambulance në oborret e spitaleve, vetëvrasjet, e kam të vështirë ta them por janë kthyer në spitale ferri. Në shkurt kemi shifra të larta të infektimeve me covid-19 dhe numrin më të lartë në botë të viktimave në intubim. Ne regjistrojmë vdekjet me covid vetëm ato në spitale, ndërkohë që ka dhjetra viktima post covid, pasi largohen nga spitali. Po vdesin nga pasojat e covidit sepse pacienti pasi është negativizuar kërkon një monitorim të vazhdueshëm, por tek ne ndodh ndryshe. Pasi pacienti nxirret nga spitali, nuk ndiqet nga askush dhe humb jetën e më pas nuk raportohet si vdekje me covid. Duhen hapur spitalet covid në rajone, pasi u hap në Durrës u mbush për 4 orë. Nëse pavionet covid do hapeshin që në fillim do ishim në situatë më të mirë. Sot mungon besimi në spitale, qytetarët marrin mjekun e familjes dhe po keqmjekohen në mënyrë masive”-tha Jakaj.

Besnik Jakaj u ndal edhe tek vaksinimi anti-covid, ku u shpreh se me këto ritme të ulëta, nuk imunzohet popullsia për 50 vjet.

“U importuan pak vaksina dhe shumë propagandë. Kryeministri Rama nuk bën transparente certifikatën e origjinës së vaksinës. Problemi është ruajtja, kushtet, shpërndarja, pasi nëse lëvizet protokolli, ajo vaksinë nuk është më imunizuese, por armë bërthamore. Me këtë ritëm nuk e imunzon popullsinë për 50 vjet. Në çdo vend flasin ekspertët dhe kryeministri mbështet me fonde, tek ne ndodh e kundërta, kryeministri propozon dhe komiteti teknik aprovon. Duhet të mbledhësh ekspertët, jo drejtorët e drejtorive, është situatë pandemie, duhen mbledhur fonde. Pagat e mjekëve duhet të rriten dhe të krijohen kushtet e punës”-deklaroi Besnik Jakaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: