Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, foli në emisionin Real Story të gazetarit Sokol Balla, në News24, për ndihmën që do t’i jepet sipërmarrjes, turizmit dhe personave të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit dhe që ndodhen ende në çadra, në këtë periudhë të përhapjes së koronavirusit.

Për sipërmarrjen, Ahmetaj tha se mund të ketë një shtesë në paketë, nga 100 milionë, në 150 milionë lekë, që të mund të marrin kredi. Paketa e turizmit, tha ministri, është në diskutim, ndërsa shtoi se projektet e rindërtimit nuk do të ndalen për asnjë moment.

Pjesë nga intervista:
Ç’do ndodhë me sipërmarrjen?
Ahmetaj: Sipërmarrja ka pasur probleme serioze edhe para COVID. Virusi ia dyfishoi problemet. Dinamika do na çojë në mes të prillit të mendojmë si të ndihmojmë gjithë këtë kompani, kur armiku i padukshëm të davaritet, edhe për shkak të masave që kemi marrë. Kur them plani marash, aty këto kompani do të gjejnë veten, se do rimëkëmbemi ekonomikisht patjetër. Çfarëdo që t’i bësh kësaj kompanie, do t’i paguash lëndën e parë, t’i paguash punonjësit? Mund të bëhet një shtesë te paketa, nga 100 milionë, në 150 milionë, që të shkojnë të marrin kred. Në tre muaj ne humbasim të ardhurat, 400 milionë dollarë.

Gjithë këto masa që po merrni, a keni para?
Shtetit i vijnë të ardhura, nga ana tjetër merr likuiditete. Sot kemi mbyllur një ankand prej 10 miliardësh, nuk ka problem shteti me likuiditetet. Shteti punon për një ditë të vështirë si kjo. Ne i kemi likuiditetet e siguruara.

Paketa për turizmin…
Jam në diskutim me ministrin Klosi, do diskutojmë së bashku, do arrijmë në konkluzione dhe do ta çojmë në tryezën e vendimmarrjes. Instrumenti i garancisë i ndihmon të paguajnë punonjësit, i ndihmon jashtëzakonisht shumë.

A mendoni se mund të ketë ndryshim në planin financiar të rindërtimit, për shkak të situatës? A duhet të frikësohen ata që janë në çadra?
Ne nuk do ta ndalojmë procesin e rindërtimit. Po vijon procedura për shtëpitë individuale. Sot kam folur me ambasadorin zviceran dhe një përfaqësues të qeverisë. Ata kanë rëndë dakord, që një pjesë gjeografike, do ndërhyjnë për të dhënë grantet cash për të dëmtuarit. Ka mbaruar vlerësimi në shumë bashki dhe 10 ditëshin e parë të prillit mbaron. Plani i rindërtimit vazhdon.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb