TIRANË

Një ndër çështjet që u diskutua të mërkurën në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare ishte dhe marrja e masave për kthimin në atdhe të shtetasve shqiptarë, që kanë mbetur të bllokuar në vende të ndryshme të botës, për shkak të mbylljes së kufijve ajrorë e tokësore.

News 24 dhe BalkanWeb ka mësuar se bëhet fjalë për afro 2200 shtetas shqiptarë, që kanë marrë kontakt me ambasadat dhe konsullatat në vende të ndryshme dhe kanë kërkuar riatdhesimin.

Zyrtarë të lartë të Ministrisë së Jashtme thanë se shqiptarët janë të shpërndarë ne shumë shtete, përfshirë edhe Timorin Lindor, ku është bllokuar një familje.

Task Forca e ngritur pranë Ministrisë së Jashtme, nën drejtimin e zv.ministrit Agron Tare, është duke shqyrtuar disa skenarë për të bërë të mundur rikthimin e të bllokuarve. Rreth orës 20.00 pritet të bëhen publike detajet rreth këtij operacioni.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb