Kur isha i vogël, shpesh më thonin: “mos e prek sobën, se digjesh!”
Por sesi ishte e djegura unë nuk e dija, e kështu shkoja e prekja kur askush nuk e kishte mendjen. E ndjeja në shpirt të djegurën dhe dhimbjen, e kështu nuk e prekja më kurrë me dashje sobën e shtëpisë. Mësimi? Asnjëhërë s’ke për ta kuptuar dhimbjen, gëzimin, hidhërimin, humbjen, fitoren, nese vetë nuk e përjeton.

Për vite me radhë jemi bërë dëshmitarë të ngjarjeve të ndodhura nëpër botë. Lufta, ajo me armë bëri që fëmijë pa fund të humbnin jetën, pa e nisur akoma atë. Çfarë faji kishin ata? Cili ishte mëkati i jetës së tyre? A reagoi njeri për ta, prej vendeve të fuqishme? Madje, edhe kur ata me forcat e tyre ishin gati të arrinin në një tokë tjetër, larg nga e tyrja, dikush u bënte pritë në det të hapur dhe u shponte gomonet, duke bërë që të mbyteshin. Akoma kam në mendje sa e sa fotografi fëmijësh të vrarë e të mbytur, që të plagosnin shpirtin. Këtë luftë ne asnjëhërë nuk e ndjemë, sepse ishte larg. Ne thjesht reagonim, sensibilizoheshim por vetëm kaq, se më pas vazhdonim jetën tonë, punën tonë. Mjafton të kishim familjen mirë, të kishim punë dhe jeta vazhdonte.

Po ashtu, asnjëherë nuk kuptuam dhe s’duam ta kuptojmë që të gjitha kafshët nëpër botë janë në luftë. Me kë? Padyshim me njeriun. Njeriu i gjuan, i vret per t’u marrë lëkurën e më pas të prodhojë çanta, rroba e gjithëfarësoj tjetër. Po, ka edhe nga ata që i vrasin për t’i ngrënë. Njeriut kjo nuk i bën përshtypje.

Bota tashmë është në karantinë, rrugët janë bosh. Qytetet duken të shkretuara! Po ashtu, miliarda makinat që përdoreshin në përditshmëri s’po përdoren më. Në qiell nuk po ngrihet tymi helmues që demton atë që më pëlqen ta quaj “shtresën e jetës”, shtresën e ozonit.

Po ashtu, fabrikat, uzinat kudo në botë po shkatërrojnë shtresën e ozonit. Prerja në masë e pyjeve, djegia e tyre ka si shkak njeriun. Edhe kjo gjë po kontribuon në shkatërrimin e shtresës së ozonit. Po çfarë është kjo shtresë që na mbron neve, jetën, të gjallën, nga rrezet e dëmshme të prodhuara nga dielli?

Shtresa e ozonit ka funksion mbrojtës nga efektet e dëmshme të rrezeve diellore dhe veçanërisht atyre UV-B. Për çdo 1% të vlerës së hollimit të shtresës së ozonit stratosferik, ekspozimi ndaj dëmtimeve nga rrezatimi ultraviolet rritet nga 1.5 deri në 2%. Disa nga efektet negative të shkaktuara nga dëmtimi i shtresës së ozonit janë:

  • Rritja e vazhdueshme e ekspozimit ndaj rrezeve UV-B mund të shkaktojë tek njeriu një dëmtim të sistemit imunitar, të stukturës së ADN-së, rritje të prekshmërisë nga sëmundje infektive, kancer të lëkurës, çrregullim të sistemit imunitar, sëmundje të syve deri në humbje të shikimit.
  • Dëmtime në ekosistemin detar dhe organizmat e botës ujore, përfshirë peshqit apo dhe bimët ujore. Hollimi i shtresës së ozonit ka efekte direkte në uljen e aftësisë riprodhuese të peshqve dhe gjallesave të tjera detare.
  • Dëmtime të bimëve, të pyjeve si dhe të përmbajtjes së tyre ushqyese.

Por nga raportet e fundit të shoqatave që bëjnë matjet për ndotjen globale, nga mosfunksionimi i fabrikave e uzinave, i makinave e çdo mjeti tjetër që shkakton ndotje, na del që për Tokën këto janë ditë të mira. Ashtu edhe per shtresën e ozonit, që nuk po demtohet këto kohë.

Pra, bota është në një luftë! Nuk është një luftë me armë, që shtetet e fuqishme ia dinë mirë strategjinë se si ta përballojnë. Nuk është luftë me bomba që hidhen pa pushim nëpër vende ku ka konflikte të vazhdueshme, ku vrasin atje gra, burra, fëmijë, të moshuar. Nuk është një luftë nga ato që jemi mësuar, ku më i forti drejton rregullat e lojës, se cili do të vdesë e cili jo, se cilët do të jenë kufinjtë e një shteti. Kjo është një luftë botërore me një armik i cili është i padukshëm, për të cilin deri më tani askush nuk e ka gjetur kundërpërgjigjen. Të prek dhe ti s’e di që e ke me vete, prandaj tregohesh i kujdesshëm, je në alert gjatë gjithë kohës. Ky është një armik i cili po e neglizhove, përveç vetes prek edhe të dashurit e tu.

Tashmë njeriu është në shtëpi, i karantinuar, ka frikë të dalë për sigurinë e tij, për sigurinë e familjes së tij. A thua që tashmë bota atje jashtë është më e sigurt me njeriun të karantinuar? Kafshët nuk po vriten, uzinat nuk po çojnë në hapësirë tym helmues, makinat s’po ndotin ajrin gjithashtu. U desh ky Covid-19, që të ndodhnin të gjitha këto? Pra, ky virus po rrezikon njeriun dhe po i shton jetën planetit Tokë?

A mos është një pakt ky i natyrës, i fatit, i Zotit, besoni ku të doni, ndaj njeriut? A mos u mbush kupa? Ndoshta planeti ynë nuk mund ta durojë më qenien njeri, që të mira s’po i sjell askujt, asvetes. Njerëz që sot vdesin nga uria, që s’kanë shtëpi, që vdesin nga varfëria, ndërkohë që një pjesë tjetër pasurohet, fuqizohet dhe kurrë nuk ngopet.

Pra, ky Coronavirus që po merr jetë njerëzish ka futur në panik miliarda, i ka mbyllur nëpër shtëpitë e tyre, po u merr të dashurit, po i shërben çdo gjëje tjetër veç njeriut. A mos është kjo një hakmarrje për atë çfarë i ka bërë njeriu Tokës, jetës, kafshëve, pyjeve, deteve, lumejve? A mos është ky një sinjal që duhet të ndryshojmë drejtim?

Pa dyshim që për njeriun, pasi ta kalojë këtë të keqe, jeta, ditët, ndjesitë, s’do të jenë të njëjta. Do jenë shumë ndryshe. Por a do të reflektojë njeriu? A do të bëhet më dashamirës për të tjerët bashkëjetues në këtë botë? Për kafshët, për natyrën, për çdo gjë? Apo do të harrojë, ashtu siç bën pas çdo të keqeje që kalon?

Pa më të voglin dyshim që njeriu, ashtu siç ia ka hedhur çdo vështirësie, do ia hedhë edhe kësaj, por ajo çfarë mbetet e rëndësishme është reflektimi mbi ne. Reflektimi për çfarë bëjmë, si sillemi, çfarë i shkaktojmë këtij planeti, natyrës, kafshëve, shtresës së ozonit. Por derisa të vijmë në këtë reflektim, tani ajo çfarë të gjithë duhet të bëjmë është të qëndrojmë në shtëpi, si forma më e mirë e sigurisë për ne dhe familjarët tanë. Më vonë, koha do e tregojë nëse njeriu do të ndryshojë, apo do të vazhdojë po njësoj t’i bëjë keq çdo gjëje, pa kuptuar se në fund po i bën keq vetes së tij.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: