Gazmend Oketa beson se sa më shumë të zgjasë izolimi i qytetarëve shqiptarë, aq më shumë do të zgjasë edhe rikthimi në normalitet dhe në realitet i shoqërisë shqiptare. Z.Oketa përmes “Gazeta shqiptare” shpreh shqetësimin se përveç dëmit që ka pësuar ekonomia në tërësi dhe buxheti i vogël i çdo familjeje shqiptare, izolimi i zgjatur do të dëmtojë në ekstrem edhe atë pak kohezion social, që ekzistonte në shoqërinë shqiptare para se të fillonte kjo periudhë. Oketa fajëson kryeministrin Rama, i cili sipas tij që me fillimin e rrezikut nga COVID-19 ka mundur të krijojë një psikozë frike, duke përdorur krejt pa vend e tepër shpesh fjalën luftë. “Nuk besoj se pas tërmetit dhe situatës COVID-19, qytetarët shqiptarë do t’i gëzohen thjesht faktit që marrin frymë. Riformatimi i jetës sociale besoj se do sjellë një riformatim edhe në vendimmarrjen politike të qytetarëve sapo atyre t’i jepet mundësia për të zgjedhur”, – shprehet anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së.

Z.Oketa, çfarë rrezikojnë shqiptarët duke qëndruar ende në shtëpi për shkak të pandemisë kundër COVID-19?

Mendoj se sa më shumë të zgjasë izolimi i qytetarëve shqiptarë, aq më shumë do të zgjasë edhe rikthimi në normalitet dhe në realitet i shoqërisë shqiptare. Sidomos rikthimit në realitet i druhem më shumë. Përveç dëmit që ka pësuar ekonomia në tërësi dhe buxheti i vogël i çdo familjeje shqiptare, izolimi i zgjatur do të dëmtojë në ekstrem edhe atë pak kohezion social, që ekzistonte në shoqërinë shqiptare para se të fillonte kjo periudhë. Rregullat e reja të distancimit social të vendosura dhe ato në vazhdim, diku me të drejtë e diku me qëllime të padrejta mund të bëjnë që edhe pse në kushte ekonomike të vështira, edhe pse të vjedhur në çdo qindarkë të fundit nga qeveria e tyre, shqiptarët të humbin sensin e kundërshtimit ndaj padrejtësive, të reagojnë individualisht dhe vetëm nëpërmjet rrjeteve sociale. Nëse kjo gjë ndodh, kjo do të ishte humbja më e madhe për të gjithë. Ajo që ne duhet të kemi më shumë kujdes, gjykoj se është mënyra se si do të orientohen qytetarët pas kësaj pandemie. Nëse secili do të orientohej nga uni, do të kërkonte zgjidhje individuale duke u izoluar në maksimum, gjykoj se dëmi në fund do të ishte shumë i madh. Nëse kjo situatë e vështirë do të shihet si një mundësi për t’i dhënë një dimension të ri shoqërisë, për të forcuar vlerat që duhet të na bashkojnë e jo ato që na ndajnë, si një mundësi për të kuptuar drejtë gjërat që kanë më shumë rëndësi në jetën e gjithsecilit, besoj se realiteti i ri në të cilin do të jetojmë do të jetë më i mirë se ai që po lëmë pas.

Si i konsideroni masat shtrënguese të qeverisë dhe zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme?

Nëse bëjmë një krahasim të dy periudhave, para dhe gjatë pandemisë së COVID-19, do të shohim se shqiptarët vazhdojnë çdo mëngjes, drekë apo mbrëmje të ushqehen me propagandë, e cila burimin kryesor e ka në zyrën kryeministrore dhe në studiot e ERTV. E njëjta gjë ka qenë dhe para izolimit, por dallimi është se tani shqiptarët janë brenda mureve të shtëpisë dhe mungesa e kontakteve të përditshme, përplasja e opinioneve apo qëndrimeve të tyre me miqtë, shokët apo kolegët, i bën që ata të “ushqehen” kryesisht vetëm me një drejtim. Që me fillimin e rrezikut nga COVID-19, z.Rama ka mundur të krijojë një psikozë frike, duke përdorur krejt pa vend e tepër shpesh fjalën luftë. Fakti që gjatë gjithë kësaj kohe kemi pasur dalje në ekrane të një njeriu të vetëm, mesazhe zanore në telefon nga një njeri i vetëm, ‘email’-e në adresat tona private apo zyrtare nga një individ i vetëm, i cili nuk na drejtohet si kryeministër i vendit, por na drejtohet si Edi që na përqaf, është strategjia e unifikimit të pushtetit, e cila na ka sjellë veç kthim prapa. Një kryeministër, kuotat e të cilit ishin në minimum, para fillimit të pandemisë, i jep të drejtë cilitdo që të ngrejë shumë dyshime si mbi masat shtrënguese e po ashtu edhe mbi zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme nuk mund të jetë i besueshëm. Nëse për këto masa shtrënguese për rrezikun e COVID-19, për strategjinë e kapërcimit të kësaj situate vërtet shumë të vështirë do kishin folur specialistët, mjekët epidemiologë, psikologë socialë, ekspertë të ekonomisë, ekspertë të arsimit etj., gjykoj se dhe perceptimi i shoqërisë si për masat shtrënguese, ashtu dhe reagimi i saj do kishte qenë krejt i ndryshëm. I ndryshëm, më social, më i pranueshëm e më i qëndrueshëm do të ishte edhe kapërcimi i situatës ekonomike në tërësi dhe të biznesit në veçanti, i cili është gjendur në vështirësi serioze. Gjykoj se pjesa më e madhe e shoqërisë shqiptare tregoi përgjegjshmëri në respektimin e rregullave të distancimit dhe izolimit dhe kjo ndikoi për mirë në uljen e numrit të personave të infektuar e për këtë shqiptarët duhen përgëzuar. Ata duhet të falënderojnë njëri-tjetrin për kujdesin e treguar e në mënyrë të veçantë duhet të falënderojnë mjekët dhe personelin ndihmës, të cilët u përballën 24 orë të çdo dite me rrezikun COVID-19.

Të plotë e lexoni në Gsh.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: