Vaksina antiCOVID-19 e Johnson & Johnson është rekomanduar në vendet ku qarkullojnë variantet e koronavirusi, më përhapëse, theksuan sot ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Grupi strategjik konsultativ i ekspertëve (SAGE) mbi vaksinimin i OBSH-së, që u mblodh të hënën, ka publikuar  rekomandimet për përdorimin e vaksinës së zhvilluar nga gjiganti farmaceutik amerikan, Johnson & Johnson, që agjencia e OKB-së certifikoi të premten.

“Në vendet ku përhapja e varianteve është e lartë dhe në vendet ku ne disponojmë tashmë informacione për përdorimin e kësaj vaksine për kontrollimin e SARS-CoV-2 shkaktuar nga këto variante, ne ju rekomandojmë ta përdorni”, deklaroi Alejandro Cravioto, president i grupit të ekspertëve të OBSH-së për vaksinimin, në një konferencë shtypi.

“Në përgjithësi, pasi shqyrtuam të dhënat, ne kemi një vaksinë të sigurt”, shtoi ai, duke nënvizuar se vaksina ishte rekomanduar nga 18 vjeç, dhe “pa kufizim moshe”.

Në janar, Johnson & Johnson njoftoi se vaksina e saj ishte 66% efektive kundër COVID-19.

Kjo vaksinë është e para, e miratuar nga OBSH, që kërkon vetëm një injeksion në vend të dy, përveç që mund të ruhet në temperatura frigoriferike.

Vaksina e Johnson & Johnson është autorizuar me urgjencë në SHBA që prej muajit shkurt. //ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb