I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, pedagogu i departamentit të Shëndetësisë në PD Ilir Pecanikaj ka folur për pandeminë e covid-19 në vendin tonë dhe si po raportohen nga Ministria e Shëndetësisë shifrat e të infektuarve dhe viktimave.

Pecanikaj deklaroi se buletini ditor nga Ministria e Shëndetësisë përmban numra fiktivë dhe se qeveria është mbushur me propagandë për të mbuluar humbjet e saj.

“Ka shumë kohë që shifrave të Ministrisë së Shëndetësisë nuk iu referohem më, pasi që në muajin prill kam denoncuar që këto shifra janë fals dhe vazhojnë të jenë numra fiktivë. Nëse shohim grafikën e publikuar me shifra nga covid-19 është një zhgarravinë e vërtetë. Sipas grafikës, Tirana është epiqendra e virusit, por nuk është e vërtetë, pasi numri përllogaritet në bazë të popullsisë. Rezulton që Gjirokastra është me numrin më të lartë të infektuarve në 1 milion banorë, ndërsa Tirana është në një shifër më të ulët.

Është një pandemi që pritej, i dha dy herë mundësi qeverisë që të pregatitej. Jemi vendi me shifrat me të ulëta të testimeve, pasi çdo analizë kërkohet të dalë nga ISHP edhe pse laboratorët privatë janë shprehur se kanë kapacitetin. ISHP me 3 laboratorë arrin me 1260 analiza në ditë. Fatkeqësisht fotot e publikuara nga morgu i Tiranës ishin të vërteta. Kurba e pandemisë për 10 ditë nuk duhet të ketë ndërprerje të gjurmueshmërisë siç e publikon Ministria e Shëndetësisë, ndërsa ora policore e vendosur pas orës 22:00 duhet të kishte dhënë frytet e saj. Nëse i referohemi shifrave, kemi Kamzën dhe Vorën me zero raste, që në këtë moment Tirana del nga zona e kuqe. Por qeveria është mbushur me propagandë për të mbuluar fatalitetet, humbjet e saj. Kemi në skemë, mjek familje, qendra spitalore komunale dhe universitare, janë shkatërruar. Pak kohë më parë, mjeku i familjes ishte në pension, vetëm qendra e urgjencës zgjidhte personin që do testonte dhe ata që do çonte në spital dhe të tjerët jo. Ministrja e Shëndetësisë deklaronte mbajtjen e maskës, ndërkohë në foton që e fshiu më pas, kishte në mbledhje të gjithë pa maskë. Më vonë deklaroi që nuk duhet të ketë grumbullime mbi 10 persona, ndërsa të nesërmen u shfaq vetë me 20 të tjerë. Duke parë këto raste, qytetarët e kanë humbur besimin tek ajo çfarë thuhet dhe çfarë ndodh”-tha Ilir Pecanikaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb