Kancelari i ardhshëm gjerman, Olaf Scholz, tha sot se është në favor të vaksinimit të detyrueshëm kundër COVID-19 për të frenuar shpërthimin e infeksioneve në vendin e tij.

“Olaf Scholz perceptoi se ka debate për këtë temë në Bundestag, përfshirë të gjitha partitë”, njoftoi një burim në rrethin e kancelarit të ardhshëm socialdemokrat.

Pasardhësi i Angela Merkelit, sipas këtij burimi, ka “sinjalizuar simpatinë e tij për një rregullim të tillë” gjatë një takimi me Merkelin dhe krerët e 16 landeve gjermane, gjë që mund të çojë në një shtrëngim të kufizimeve kundër COVID-19.

Mbyllja e lokaleve dhe klubeve janë veçanërisht në konsideratë, sipas medieve gjermane.

Gjermania, deri më tani, e ka përjashtuar opsionin radikal të detyrimit të vaksinimit.

Detyrimi i vaksinimit u vendos së fundmi për personelin në shtëpitë e të moshuarve dhe spitale, si edhe për ushtarët e Bundeswehr-it dhe pritet të hyjë në fuqi së shpejti.

Megjithatë, situata shëndetësore vazhdon të jetë shumë e tensionuar, me një incidencë prej 452,2 për 100 000 banorë.

Fushata e vaksinimit ka mundësuar vaksinimin e plotë të rreth 57 milionë personave (68,5%) në këtë datë.

Vaksinimi i detyrueshëm, i refuzuar prej kohësh nga shumica e gjermanëve, tani kërkohet nga gati dy të tretat e tyre (64%), sipas një sondazhi të fundit nga mediat RTL dhe ntv.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb