Kryeministri kanadez, Justin Trudeau u bëri sot thirrje kanadezëve që të mos favorizojnë vaksina, një ditë pas rekomandimeve të një komiteti ekspertësh që sugjerojnë favorizimin e vaksinave “Pfizer” dhe “Moderna” në raste të caktuara.

“Të gjitha vaksinat e miratuara nga Health Canada janë të sigurta dhe efektive”, rikonfirmoi Trudeau në një konferencë për shtyp, duke u bërë thirrje edhe një herë kanadezëve “të vaksinohen me vaksinën e parë në dispozicion, sa më shpejt të jetë e mundur”.

“Është një gjë e mirë të kesh rekomandime nga një mori ekspertësh dhe mjekësh, por përfundimi është se të gjithë duhet të vaksinohemi sa më shpejt që të jetë e mundur për t’u kthyer në jetën normale”, këmbënguli ai.

Vetë kryeministri mori një dozë të parë të vaksinës AstraZeneca më 23 prill.

“Personalisht, unë jam jashtëzakonisht i lumtur që kam marrë një dozë të AstraZeneca disa javë më parë. Është shumë e rëndësishme për mua që të mund të mbroj të dashurit e mi, të mbroj familjen time dhe të bëj pjesën time, në mënyrë që të gjithë kanadezët të dalin nga kjo sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi kreu i qeverisë.

Një ditë më parë, Komiteti Kombëtar Këshillëdhënës për Imunizimin (NACI) krijoi konfuzion duke pohuar se vaksinat ARN (Pfizer, Moderna) ishin “vaksinat e preferuara” mbi ato me vektor viral të Astrazeneca dhe Johnson& Johnson, për shkak të rrezikut të ndërlikimeve për dy të fundit.

Që nga e marta, më shumë se 34% e kanadezëve ka marrë dozën e parë të njërës nga katër vaksinat e licencuara në vend.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb