Gjatë raportit në Kuvend, kryeprokurori Olsian Çela është pyetur nga deputeti Adriatik Alimadhi lidhur me dosjet e pezulluara, duke përmendur dosjen e të zhdukurit Enver Stafuka dhe të bankierit Artan Santo.

Në sqarimin e tij, Çela tha se nuk mund të flasë me çështje konkrete, por sipas tij, hetimi për zbulimin e autorëve bëhet në bashkëveprim me Policinë e Shtetit.

Alimadhi: Sa keni kërkuar hapjen e dosjeve si “Stafuka”, “Santo”?

Çela: Për shkak të kompetencës që ka prokurori, mënyrën si ndërvepron ajo me Policinë e Shtetit, në momentin e pezullimit të një dosje, është në kompetencën e prokurorisë të kryejë veprime në drejtim të zbulimit të autorëve. Prokuroria hyn në këtë fazë, në momentin që Policia e Shtetit paraqet fakte, që ka indicie që mund të çojnë në zbulimin e autorëve. Ju folët për çështje konkrete, por unë nuk mund të flas për çështje konkrete. Por duhet ta pranojmë që stoku i dosjeve të pezulluara është i lartë. Patjetër që ka nevojë për rivlerësim të situatës nga Policia e Shtetit, ne do i japim gjithë mbështetjen e nevojshme për të çuar në zbulimin e ngjarjeve kriminale. Dërgohet dosja e pezulluar për zbulim të autorit. Policia ka veprimtari zbuluese. Në momentin që ka elementë të vlefshëm që mund të çojnë në zbulim të autorit, prokuroria kryen ato hetime procedurale, që janë të pamundura të kryhen nga policia.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb