Presidenti Donald Trump “ka autoritetin e vetëm për të vënë në veprim Ligjin e Rebelimit” dhe “nëse është e nevojshme, ai do ta përdorë atë”, tha Sekretarja të Shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany, para gazetarëve të mërkurën pasdite.

Më herët gjatë ditës, Sekretari i Mbrojtjes Mark Esper tha se, “mundësia për të përdorur trupat në detyrë aktive në rolin e forcave të zbatimit të ligjit duhet të përdoret vetëm si shansi i fundit dhe vetëm në situatat urgjente dhe të ndera.”

Esper shtoi, “Ne nuk jemi në një nga këto situata tani. Unë nuk e mbështes vënien në veprim të Ligjit të Rebelimit”.

Ligji federal i vitit 1807 lejon presidentin, në rrethana të ndera, të vendosë trupa ushtarake dhe të Gardës Kombëtare brenda vendit për të shtypur mosbindje civile, kryengritje apo ebelim.

Mes njoftimeve se deklaratat e sekretarit të Mbrojtjes kanë zemëruar presidentin dhe zyrtarët e lartë të Shtëpisë së Bardhë, sekretarja e Shtypit u pyet nëse presidenti Trump vazhdon të ketë besimin e anëtarit kryesor të Kabinetit të tij që drejton Pentagonin.

“Tani për tani, Sekretari Esper është ende Sekretar Esper,” u përgjigj zonja McEnany. Kjo përgjigje e shpejtë do të shtojë më tej spekulimet se sekretarit të Mbrojtjes së shpejti mund t’i kërkohet nga presidenti të japë dorëheqjen.

Ndërkohë Pentagoni thotë se Sekretari Esper ka kthyer mbrapsh një vendim të mëparshëm për të dërguar dy qindra trupa me detyrë aktive në shtëpi nga rajoni i Uashingtonit. Vendimi i sotëm vjen mes tensioneve në rritje mes Shtëpisë së Bardhë dhe Pentagonit për përgjigjen ushtarake ndaj protestave.

Sekretari i ushtrisë Ryan McCarthy i tha agjencisë Associated Press se vendimi erdhi pasi sekretari Esper mori pjesë në një takim në Shtëpinë e Bardhë, dhe pas diskutimeve të tjera të brendshme të Pentagonit. Ai tha se beson se ndryshimi i vendimit ishte i bazuar në sigurimin e një mbështetje të mjaftueshme ushtarake në rajon për t’iu përgjigjur problemeve të protestës nëse do të ishte e nevojshme.

Në mbrojtje të shëtitjes në Parkun Lafayette Park

Trump po mbron shëtitjen e tij në Parkun Lafayette për të shkuar në një kishë historike, ku ai mbajti lart një Bibël vetëm disa minuta pasi forcat e rendit pastruan me dhunë rrugën.

Veprimet e presidentit Trump të hënën në mbrëmje janë kritikuar ashpër nga drejtuesit e Kishës Episkopale, përfshirë peshkopen e saj kryesuese, si dhe klerikë të shquar të emërtimeve të tjera të krishtera.

“Shumica e udhëheqësve fetarë e pëlqyen atë veprim,” pohoi Trump të mërkurën. “Pse të mos ta pëlqenin? Unë qëndrova para një kishe që kaloi përmes traumave.”

Trump, në një bisedë telefonike në mëngjesin e së mërkurës me radion Fox News, deklaroi se kisha, e cila daton në fillim të shekullit të 19-të dhe ka një lidhje të gjatë me presidentët amerikanë, “pati një djegie shumë të keqe” gjatë vandalizmeve të së dielës në Uashington.

Një zjarr i vogël në bodrumin e kishës u shua shpejt, sipas departamentit të zjarrfikësave të Uashingtonit.

“Ishte jashtëzakonisht e rëndësishme” që presidenti të shëtiste drejt kishës për të “dërguar një mesazh shumë të fuqishëm se ne nuk do të mposhtemi nga plaçkitja”, tha zonja McEnany.

Presidenti Trump tha se askush nuk i kishte thënë atij për turmën e protestuesve përgjatë rrugës H, një bllok në veri të Shtëpisë së Bardhë, përpara se të shkonte në kishë.

“Kur shkova, nuk thashë,‘ Largojini ata. “Unë nuk e dija kush ishte atje,” tha presidenti Trump në programin e radios.

Prokurori i Përgjithshëm William Barr “vendosi atë mëngjes të zgjerohej perimetri,” u tha sekretarja McEnany gazetarëve.

Kur ai dëshmoi më vonë gjatë ditës se kjo nuk ishte zbatuar ai urdhëroi veprime të menjëhershme, tha McEnany.

Është procedurë normale që Shërbimi Sekret dhe forcat e zbatimit të ligjit të krijojnë një kordon në zonat para lëvizjeve nga çdo president./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb