E ardhmja e Cristiano Ronaldos mbetet e paqartë. Në momentin më të nxehtë të merkatos, me Atlético Madrid në sfond, duket se portugezi dëshiron të kthehet në Spanjë. Chelsea, apriori u vetëpërjashtua nag ky “ankand”, teksa aludohet se Bayern Munich është në kërkim të një ‘9’, pas largimit të Lewandowskit.

Edhe pse drejtori sportiv bavarez Oliver Kahn e ka mohuar një pistë të tillë, ka pasur disa lëvizje në Instagram që shkojnë në drejtim të kundërt. Lojtarët e klubit bavarez Müller, Sané, Sabitzer, Musiala, Goretzka, Boateng, Gnabry, Kimmich dhe Gravenberch kanë filluar ta ndjekin Cristianon së fundi në rrjetet sociale.

Një fakt që zakonisht është tregues se së shpejti ata mund të ndajnë një dhomë zhveshjeje. “AS” avancoi idenë se Bayerni do të nënshkruante me pesë herë fituesin e “Topit të Artë”, nëse largohej Lewandowski. Me polakun që ka veshur tashmë fanellën e Barçës, pista e portugezit duket më e besueshme.

Dëshira e CR7, e zbuluar fillimisht nga “AS”, u konfirmua nga shtypi anglez disa ditë më vonë. Synimi i tij është i qartë: të luajë në Champions League. Ai dëshiron të largohet këtë verë nag Manchester United.

Pesë herë fituesi i “Topit të Artë” është i gatshëm të heqë dorë nga 30% e pagës aktuale për t’u larguar nga Manchesteri, e bërë e qartë kjo prej Jorge Mendes, përfaqësues i sulmuesit 37-vjeçar. Fakti që “Djajtë e Kuq” nuk do të luajnë në Champions League sezonin e ardhshëm e shtyn futbollistin madeiran të kërkojë një destinacion të ri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb