Gazeta Panorama.al publikon në numrin e sotëm kujtimet e sekretarit personal të Enver Hoxhës, Vahid Lama, i cili i shërbeu në paradhomë për 13 vite, ndërsa më pas u dënua për agjitacion dhe propagandë.

Lama zbardh në kujtimet e tij raportet e këqija që Enver Hoxha kishte me ligjet dhe gjykatat.

Sipas sekretarit personal, Enveri vinte shpeshherë në hall ministrin e Drejtësisë për ligjet që i kishte miratuar po vetë, teksa në të shumtën e rasteve kërkonte anulimin e nismave ligjore që i ‘lidhnin duart’ Partisë për të vepruar sipas dëshirës.

Vahid Lama po ashtu rrëfen dhe telefonatën misterioze të ministrit të Brendshëm për Enverin, të cilin e informoi për një person që u eliminua pa gjyq, “Ai miku na la shëndenë”.

LIGJIN E DI PARTIA, JO GJYKATA

Në aparatin e KQ kishte ardhur një ankesë nga Komiteti i Partisë i Rrethit të Durrësit, se Gjykata kishte kthyer në punën e mëparshme një nëpunës të pushuar me urdhër të një sekretari të Komitetit të Partisë. Sa u njoh Enveri me këtë informacion, më thirri në zyrë dhe më tha disi i nervozuar: Kush ka thënë që paska të drejtë Gjykata të kthejë në punë një punonjës që është pushuar me porosi të Komitetit të Partisë?! Ç’u bë Gjykata, që na dilka mbi Partinë?! Ajo është një organ shtetëror i thirrur pikërisht për të zbatuar vijën e Partisë e jo për t’iu kundërvënë. Vërtet ne kemi thënë, – vazhdoi ai, -që gjykatat janë të pavarura, por kjo pavarësi, të kuptohemi drejtë, nuk është absolute. Asnjë organ apo organizëm shtetëror nuk mund të jetë i pavarur nga populli dhe Partia.

Veç kësaj, dihet që ne e kemi hedhur poshtë si të gabuar teorinë borgjeze të ndarjes së pushteteve. Në vend të saj kemi mbështetur teorinë e drejtë të unitetit të pushteteve. Në këtë prizëm duhet parë e trajtuar edhe pavarësia e gjykatave. Mua më duket se gjykatat po abuzojnë me pavarësinë e tyre për të dhënë vendime në kundërshtim me politikën e Partisë. Po të jetë e vërtetë kjo, Partia duhet të bëjë kujdes dhe të godasë rreptë bartësit e këtyre dukurive. Më kupton, apo jo? “Ligjin e di Gjykata”, na thonë ca juristë. Si e ditka Gjykata dhe nuk e ditka Partia që bën ligjin?! Ç’janë këto teori të plakura që na serviren kështu?!

Vetë mënyra si arsyetonte Hoxha në raste të tilla, shprehte konceptin e tij që Partia kishte të drejtën e pakufizuar të ndërhynte kudo dhe për gjithçka, pa u penguar nga asnjë ligj, parim apo moral. E kisha dëgjuar të thoshte: “Ç’qenka ky ligj, që i lidhka duart Partisë për të ndërmarrë një aksion revolucionar kundër zakoneve prapanike dhe besimeve të kota, si e paskemi aprovuar?! Jo, ky nuk është një ligj i drejtë, të ndryshohet ose të shfuqizohet menjëherë”.

Disa herë, Ministria e Drejtësisë kishte rënë në hall, sepse detyrimisht i duhej të paraqiste projekte ligjesh ose dekretesh të porositura nga Enveri, megjithëse ato binin ndesh me Kushtetutën e Republikës, deri sa aty nga fundi i viteve ’60 Hoxha e zhduku edhe vetë Ministrinë, si “të panevojshme”(!) Kështu i shmangu ai kundërshtimet e ministrit “kokëfortë e të bezdisshëm”.

I PUSHKATUARI PA GJYQ MBETI ANONIM

Ka qenë ditë e martë, 22 shkurt i vitit 1972, kur zëvendësoja në zyrë kolegun e sëmurë. Sekretarët e Komitetit Qendror e pinin kafenë bashkë me Enverin në pushimin e paradites. Një moment ra zilja e telefonit. Ngrita receptorin dhe dëgjova: -Ministri i Brendshëm jam. Paska dalë nga zyra shoku Enver, more Haxhi, se nuk po më del në telefonin me dy shifra?” (Më këto telefona të bisedave sekrete komunikonin udhëheqësit më të lartë të Partisë së Punës ndërmjet tyre) -Ju dëgjon Vahid Lama, – iu përgjigja. Shoku Enver është në një pushim të shkurtër për kafe, bashkë me sekretarët e Komitetit Qendror. – Mmm.., ia bëri ai, po si të bëjmë, desha t’i transmetoj diçka tepër urgjente… Dëgjo këtu, të lutem, shko ti atje dhe thuaji: “Ajo puna mbaroi, ai miku na la shëndenë”.

Tek po e dëgjoja me shkuan mornica në trup. Më pushtoi një ndjenjë angështie që nuk ishte tamam tmerr, por po aq shtypëse e ndrydhëse sa tmerri. Isha plotësisht në gjendje ankthi. Me siguri fjala do të ishte për vrasjen e një njeriu prapa shpinës, e një njeriu, emrin e të cilit nuk e mësova dot kurrë. Nuk e di akoma nëse ai që “na la shëndenë” ndodhej brenda apo jashtë Shqipërisë. E ndjeja veten të trullosur tek s’mbante më. Shkova në sallën e vogël ku po pinin kafenë sekretarët e Komitetit Qendror. Iu afrova Hoxhës. -Ç’është?, – më pyeti.

I fola në vesh, sikurse kërkohej në raste si këto. -Shoku Ministër i Brendshëm njofton: “Ajo puna mbaroi, ai miku na la shëndetin”. -Ashtu?, – i shndriti fytyra nga gëzimi dhe iu drejtua sekretarit që e kishte si mikun më të afërt: -Ministri e paska mbaruar punën që kishte me atë mikun, – dhe i shkeli syrin lehtë. Sekretarët e tjerë nuk reaguan, vazhduan të rrufisnin kafen. Ndoshta ata nuk dinin gjë për këtë mynxyrë. Atë natë, megjithëse nuk e dija për cilin bëhej fjalë, bëra një gjumë të trazuar. Një njeri ishte flijuar tinëzisht, pa ligj e pa gjyq, me urdhër të udhëheqësit të Partisë, që manovronte shtetin e “diktaturës së proletariatit”. Po përse duhej vepruar me këtë trill kur kishte ligje, Polici, Hetuesi, Prokurori dhe Gjykatë, që merreshin me ndjekjen e ndëshkimin e “fajeve” kundër shtetit?

Kjo ndodhte pikërisht sepse duheshin ndëshkuar, bile me dënim kapital, edhe ata për të cilët provat mungonin, por që Hoxha ua kishte bërë benë, se dyshonte që nesër mund të përbënin rrezik për të! Ka shumë të ngjarë që preja e këtij krimi të ketë qenë ndonjë i burgosur apo i internuar politik, që vuante dënimin në Shqipëri, ose ndonjë i arratisur jashtë shtetit. Gjatë kësaj kohe kam shpresuar të mësoj cili ka qenë fatziu, që u zhduk pa nam e nishan, por qe e pamundur, pasi ky rast nuk ishte i vetëm. Gjatë kohës që punoja në zyrën e Enverit, kam dëgjuar shpesh komunikime të kësaj natyre nga kreu i Ministrisë së Brendshme, që i raportonte me një ndjenjë krenaria për “njerëz që linin shëndenë” pas atentateve misterioze të Sigurimit të Shtetit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: