Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka thënë në Kuvend se fokusi i buxhetit 2023 është përballimi i inflacionit të luftës dhe forcimi i mbrojtjes së sistemeve tona dixhitale nga sulmet kibernetike.

“Për të adresuar efektet e inflacionit të luftës, por edhe për të trajtuar më mirë financiarisht punën e Policisë së Shtetit, në këtë buxhet kemi një nga rritjet më të larta të pagave. Plot 15% rritje për rreth 74% të trupës së Policisë së Shtetit, ku përfshihen punonjësit e nivelit bazë me gradat Inspektor, Inspektor i nivelit të parë, Inspektor i nivelit të dytë. Ndërsa për gradat Komisar e Nënkomisar, ku janë rreth 20% e trupës të punonjësve me grada, rritja e pagave do të jetë në nivelin 7%, deklaroi Ministri i Brendshëm.

Po kështu rritje pagash me 7% ka për 1300 punonjësit e Gardës së Republikës, po kaq edhe për zjarrfikësit. Ndërsa për punonjësit e AMP, rritja është mesatarisht në masën 13% për 86% të punonjësve.

Sa i përket investimeve në teknologji për sistemet dixhitale dhe mbrojtjen nga sulmet kibernetike, ministri Çuçi tha se fondi është rritur me 7.6 herë si kurrë më parë.

“Dua të theksoj kapërcimin kolosal që ne kemi bërë në buxhetin e vitit 2023, duke rritur me 7.6 herë investimet në teknologji dhe sigurinë kibernetike në Policinë e Shtetit. Nëse në vitin 2022 investimet në fushën e teknologjisë në Policinë e Shtetit, me fonde të brendshme, kanë qenë 72 milionë lekë, në vitin 2023 ne kemi parashikuar të investojmë plot 547 milionë lekë. Pjesa më e madhe e investimeve shkon pikërisht në rritjen e sigurisë kibernetike për të përballuar pasojat e sulmit kibernetik dhe për të forcuar sigurinë e sistemeve dixhitale të ruajtjes dhe transmetimit të të dhënave në Policinë e Shtetit. Po për sigurinë kibernetike, krahas buxhetit të Ministrisë së Brendshme, do të financojë edhe AKSHI 278 milionë lekë në Policinë e Shtetit”, deklaroi ministri Çuçi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb