TIRANE– Ministri i Shtetit për Çështjet Ven dore, Bledi Çuçi sqaroi dje se ideja e shkrirjes së policisë bashkiake lindi për shkak se sipas tij kjo strukturë ka dështuar në rolin e saj. “Në lidhje me policinë bashkiake, autoriteti i kryetarëve të bashkive duhet rritur, sepse ka çaluar në të kaluarën. E vetmja mënyrë për t’iu dhënë autoritet kryetarëve të bashkive, është që të zbatohen në mënyrë të drejtpërdrejtë nga policia e shtetit urdhrat administrativë. Skema me policinë bashkiake s’ka funksionuar, sepse e kanë pasur të pamundur”, – u shpreh Çuçi, në një intervistë televizive.

“Kemi menduar të kalojmë në një sistem tjetër, që aplikohet gjerësisht në Europë, ku urdhrat lëshohen nga të zgjedhurit vendorë. Këta urdhra janë detyrimisht të zbatueshëm nga Policia e Shtetit. Edhe në 2007-ën ka qenë një dispozitë që edhe drejtori i policisë do të marrë aprovimin e kryetarit të bashkisë”, – sqaroi më tej Çuçi.

“Mendoj se do jetë hap shumë pozitiv në vënien e autoritetit të kryetarëve të bashkive, është lajm i mirë. Për ta sqaruar, urdhrat që lëshon kryetari nuk kanë të bëjnë me rendin apo kriminalitetin, por me çështje të qetësisë publike, kontrolli i territorit etj. Për ndërtimet pa leje, që urdhëron Policinë e Shtetit. Është në shkelje policia nëse nuk bëhet”, – tha ministri për Çështjet Vendore. Më tej, Çuçi sqaroi se ka dy faza që i përkasin forcimit të qeverisjes vendore. Kryesorja sipas tij është që bashkitë të ushtrojnë kompetencat që u rezervon ligji dhe qeveria do të garantojë që bashkitë e reja të ushtrojnë kompetencat që ua njeh ligji. Ai shtoi se do të thellohet decentralizimi.

BERISHA
Ish-kryeministri, Sali Berisha e ka kundërshtuar dje ashpër nismën e qeverisë për shkrirjen e policisë bashkiake. Me anë të një postimi në “Facebook” ai shkruan se “Rama u tha të zgjedhurve vendorë: Në shtetin tim policor ju o kryetarë do vareni nga drejtori i Policisë së Qarkut. Ky është decentralizim! Në takimin e Edi Ramës me të sapozgjedhurit e tij vendorë, ai ju komunikoi atyre se, në përputhje me platformën e shtetit policor të tij ‘një shtet, një polici’, do të shkrihet policia bashkiake dhe ata do të varen për çdo problem në zbatimin e ligjit nga drejtori i policisë së qarkut që e emëron qeveria. Një praktikë e tillë nuk ekziston në asnjë vend të lirë por vetëm në regjimet policore, pra diktaturat”, – pretendon Berisha.

Sipas tij “ky është një akt tjetër i shëmtuar në rrugën e vendosjes së plotë të shtetit policor. Cilido që njeh diktaturat ose lexon manuale për shtetin policor gjen se parimi themelor i tyre është ‘një shtet, një polici’, me të cilën kreu i regjimit kontrollon të gjitha fushat e jetës së shoqërisë. Kështu, Edi Rama po ecen me vrap drejt shtetit të etërve të tij për të çuar para vendin në Europë”, – shkruan Berisha në “Facebook”.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb