Ditët e fundit, me intervale të mirëstudiueme për të dhanë ndjesinë e nji stili të ri të zhvillimit të konkurseve që aq shumë janë kontestue në vitet e maparshme, QKLL që organizon këto ngjarje kulturore, ka publikue së fundi me intervale të barabarta grupin e pesë ma të mirëve në roman, tregime, poezi, përkthime dhe letërsi për fëmijë.
Të parafundit si lajm u publikuen pesë autorët e romaneve, ndërsa mbetet ende gjysmake dhe e paplotë pesëshja në kategorinë e poezisë, sepse deri tashti janë të publikuem vetëm tre autorë në kategorinë e poezisë, a thue se nuk po gjenden edhe
dy të tjerë meritorë!?
Mbetemi të paditun nëse juria e përbame prej Entela Kasit (kryetare), Monika Stafës, Xhevat Lloshit, Koloreto Cukalit dhe Blendi Lami (anëtar) asht vërtet kjo apo nji tjetër (sepse javë ma parë për disa orë u ba publike nji përbamje tjetër jurie). Në përgjithësi gjithçka duket e kopsitun mirë dhe askush nuk duhet të ketë vërejtje profesionale për këtët juri që ka për të marrë vendime për zgjedhjen e më të mirëve në secilin grup. Por tue u nisë prej faktit tashma të stërnjohun se në lamin e letrave shqipe janë sot ma se 250 persona që shkruejnë në variantin letrar të gegnishtes, vetiu na lind pyetja se cili kishte me qenë shkaku që në të pesë grupet kemi vetëm
nji të përzgjedhun nga ky kontigjent serioz krijuesish, të cilët sot, me veprat e tyne, cilësinë dhe mirëpritjen e lexuesit po e rrisin dita me ditë “trashësinë” e prumjeve letrare në gegnishte të modernizueme dhe bukur mirë të normueme.
Çfarë po ndodh me këtë juri?
Asht rastësi që në 25 (sa do të duhej të ishin) të nominuem qëlloi vetëm nji gegnishtshkruese apo, fshehtas dhe nën nji buzëqeshje të gjanë, po krijohen përsëri mllefe dhe alergji ndaj gegnishtes së shekullit XXI? Po shprehem kështu sepse jemi mësue tashma me dhanë e me marrë empati në produktet e krijimtarisë qoftë edhe me nji minimum kolegjialiteti. Po guxoj me pyetë për gegnishtshkruesit tanë, sepse jam shumë e sigurt që në prumjet letrare të vjetit 2023 me të cilat detyrimisht merret kjo juri, ka pasë vepra të nji niveli dinjitoz plot me risi tematike, personazhesh, stili dhe ofertash me mesazhe universale. Po guxoj me folë kështu sepse të dhanat e shtëpive botuese që janë marrë me këto produkte letrare flasin për kërkesë nominale dhe për supershitje të tyne. A e din juria e nderueme dhe ende e pasigurt “nga frika e presioneve korruptuese” (mbase edhe mitmarrja), a thue se ata nuk duhet të dalin në ballë të kësaj pune dhe të mbajnë përgjegjësi para “shenjtërimit” dhe sublimitetit të letërsisë se ligji epror i psikologjisë së artit thotë se fatin e nji vepre e vendos lexuesi dhe gjanësia e përhapjes së saj?
A e din kjo juri se puna mbrenda komisionit të jurisë përfshin edhe informacione dhe të dhana nga shtëpitë botuese lidhë me shitjen dhe kërkesën nga ana e lexuesve.
Sepse vjet kemi pa në stendat e ndonji shtëpie botuese që njerëzit vinin me turma dhe, pa e ditë se ku e merrnin atë libër, rrinin në radha të gjata në pritje të nji autografi të autores? Pra edhe në botën e pafajshme të librit ka hy teatri, ka hy banaku, ka hy falsiteti dhe biberoni fals, me të cilin disa kolegë tanë kanë vendosë me i krijue vetes idenë e epërsisë absolute.
Por lindin edhe pyetje të tjera edhe ma të thekshme dhe ma tronditëse, të cilat nuk mund të mos thuhen edhe pse autorët kur i bajnë faulat, e dinë se askush nuk do t’u kërkojë llogari sepse, mesa duket, ka nji konsensus të heshtun që punët të kryhen sa ma subjektivisht dhe me nji nënshtresë të mykun politizimi të paktën kulturor.
Ky komision jurie a i ka nda sektorët e leximit të veprave të nominueme apo edhe çka asht ma e bukura nuk i lexon fare apo u hjedh vetëm nji sy dhe vlerësimi kryhet me aq e gja? Mos vallë nën njifarë “shejtnie” të institucionit të jurisë po fshihet prej kohësh nji subjektivitet e nji apriorizëm i hatashëm, ashtu sikurse e thekson në facebook edhe Rigels Rizai. Po e hamendësoj mosleximin e veprave ose edhe leximin e pjesshëm ose e të përciptë sepse jam tue hamendësue edhe nji tjetër faul të randë, atë të paracaktimit të autorit dhe veprës fituese. Të gjitha këto unë i quej skandal, madje skandal me pikëçuditëse sa nji shtyllë nga
mbrapa.
Ta dinë të gjithë anëtarët e jurive, të kalueme dhe të tashme, të tashme e të ardhme se ndamja e çmimeve me parti pris, me paracaktim, me parapëlqim ose edhe me rekomandim nga dikush që mban nji autoritet asht krim kulturor, asht vrasje e procesit letrar, asht pandershmëni intelektuale, nepotizëm dhe qyqarllëk shpirtnor. E shkrova në facebook se mosnominimi i romanit “Pesha e padurueshme e
pafajësisë” të shkrimtarit shumë të njohun, Primo Shllaku, asht skandal dhe doli dikush në faqen zyrtare të institucionit në fjalë postimin tim e fshiu. Ky asht ni tjetër skandal në fuqi të dytë. Kush janë këta censorë që nuk na lanë me shprehë mendimin tonë as mbas shprehjes së mendimit të tyne, kush janë këta tiranë të vegjël që banojnë në Tiranë dhe kanë frikë të bashkëjetojnë me mendimin e kundërt, në nji kohë që ekziston bindja se ka arbitraritet e paracaktim në sistemin e dhanies së
çmimeve.
Mandej nga ka ardhë kjo juri, nga cili planet a nga cila koordinatë e nji galaktike tjetër që mendimi i tyne e IQ qenka e padiskutueshme, në nji kohë që edhe ne lexojmë, madje lexojmë për kënaqësi estetike dhe jo për të marrë nji honorar si anëtar i jurive. Edhe na jemi autorë, shkruejmë, jemi pjesë e këtij mullini letrar që bluen edhe egjër e maknore, kemi mbarue shkolla për letërsi dhe këtë bukuri të
njeriut – letërsinë pra – e kemi fat të dytë në jetë.
Ka roman në nominimin e sivjetëm që e vetmja meritë e tij asht ringjallja e nji autori si personazh. Autori asht demiurg, krijues, perëndi dhe nuk guxon kush me e çue atë në nivele personazhi se mandej edhe ajo forcë që ai ka, zbehet dhe profanizohet. Madje praktika të tilla në kushtet tona pengojnë në nivel idesh ndërrimin e brezave e bukur shumë edhe rrjedhjen pa pengesa të proceve makroletrare siç janë stafeta e brezave, sensi vektorial i progresit, arkivimi i epokave etj. Me nji fjalë tek ne po vazhdon me lulëzue nji letërsi servile post mortem e gjendjes diktatoriale por me hapje vetëm gjeografike dhe aspak me hapje shpirtnore ku njeriu të futet mirë në kuadër dhe të ketë edhe nji farë koleti përreth.
Mendoj se gjendja e letrave shqipe në kohën e sotme si në Shqipni ashtu edhe në Kosovë asht premtuese. Kanë hy të rinj në mes dhe ata po guxojnë me tema, me stile, me personazhe dhe me oferta estetike. Kurse sistemi i vlerësimeve ka mbetë në duer mediokre që, ma së paku, vuejnë nga frika se mos u zemrohen njerëzit, se mos u zrmërohen eprorët dhe, e fshijnë këso dynjaje librin që i ka prekë ose mund t’i prekte dhe romani i autorit ikë nga sytë dhe vendin e tij e zen intriga e ambël e nji konjunkture honoraresh, hatresh, miklimesh dhe premtimesh se dikush asht i zoti dhe kryen punë bukur e paq.
Nga ana tjetër më ban përshtypje jo të pakët edhe fakti që këso here në juri ndodhet edhe z. Xhevat Lloshi. Na në Kosovë e njofim z. Lloshin si gjuhëtar, si mbrojtës të sukseseve të standardit, si kundërshtar i çdo modifikimi a përditësimi të kësaj krijese kulturore kaq të kontestueme dhe kaq drejtësisht të kontestueme. Dhe papritmas shohim në juri mes nji çete bukur të sprovueme letrarësh. Tue e lidh mendimin tim me përjashtimin e dukshëm të gegnishtshkruesve nga edicioni 2023 i çmimeve, po më shkon mendja se mos asht prania e tij si fanatik i standardit që e ka përcaktue “operacionin fshesë” të gegnishtes letrare nga kjo ngjarje kulturore që, për hir të së
vërtetës, ka nji pritshmëni të madhe në publik, por edhe nji zhgënjyeshmëni po aq të madhe.
Unë kam dijeninë, ndoshta të pasaktë, por nëse asht ndryshe le të më falë z. Lloshi, se ai ka si formim universitar rusishten, mandej u pa në frontin e mbrojtjes së standardit dhe tashti e shohim si anëtar të jurisë për çmimet letrare. Zotnia në fjalë mund të jetë lexues, madje lexues shumë i mirë, por askush nuk e njeh atë as si kritik, e as si letërsi shkrues. Pra prania e tij në pesëshen e jurisë më duket “politike” dhe aspak profesionale. Herë të tjera mendoj se në juri na duhen autoritete
letrare ose të kritikës letrare (sic!) dhe jo autoritete nga fusha të tjera sado të përafërta qofshin ato.
Dy fjalë për autorët që krijojnë letërsi shqipe në Kosovë. Këta, pra autorët që krijojnë letërsi shqipe në Kosovë kontribuojnë drejtëpërsëdrejti në pasunimin e thesarit të letërsisë shqipe diakronikisht dhe sinkronisht. Ata janë pjesë e pandame e të najtit
proces shpirtnor edhe pse historia e qindvjetëshit të fundit e nuancoi historinë e Shqipnisë e Kosovës me ndryshime kalimtare por në të njajtën frymë e me të njajtin shpirt.
Opinioni i krijuesve në Shqipni duhet të tregojë ndjeshmëni reaguese ndaj kësaj ndamje të cilën e pati mallkue ma së pari Ndre Mjeda në poezinë e tij programatike “Gjuha shqype”. Personalisht unë shoh se perspektivat e reja qofshina ato edhe afatgjata e të ngadalta nuk kanë sesi ta pengojë konvergimin, por do t’i përafrojnë letërsitë që shkruhen në Shqipni dhe Kosovë kah nji nord i përbashkët që asht
antropocentrizmi. Kurse gjuha asht gjuha organike e shqiptarëve dhe procesi i së tanës nuk ka ma asnji pengesë që ta pengojë konvergimin.
Pengimi i krijuesve letrarë të Kosovës që të marrin pjesë në konkurset letrare vjetore
në Shqipni ka mbrendë elemente të dukshme skandali.
Por sikur kjo të mos mjaftonte, na vijnë sinjale se në ndonjenën prej rubrikave të nominimeve kemi jo ma autorë të Kosovës por shtëpi botuese të Kosovës, siç asht p.sh. rasti i përkthimit të Barnes-it me botimin e shtëpisë botuese “Pema”. Pse këto dy standarde? Çfarë po
ndodh kështu? Ka debate dhe lëshime të fshehta apo në këtë sektor sundon tallavaja dhe rrumpalla sa nuk e merr vesht qeni të zonë?
Shkrimtarët autentikë të gjuhës shqipe tashma janë nji e të pandashëm. Dikush ka vendosë me i pa si dy dhe kjo faqe e zezë e marre ka me iu ngjeshë të gjithë atyne që besojnë e punojnë kësisoj. Konkurset duhet të jenë të hapuna e pa dallime dhe
kështu çeta e shkrimtarëve do të ketë dy konkurse letrare në vit e nji herë ma shumë
shanse për kualifikim e për shpërblime me çmime.
Vlora ADEMI