TIRANE- Rezultatet paraprake për zgjedhjet vendore të 21 qershorit sollën një tjetër çudi. Pogradeci, i cili u cilësua edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i LSIsë, Luan Rama si “pazari i Roskovecit”, nxori në pah një mosbashkëpunim në bazë të PS-së dhe LSI-së.

Ndërsa pritej që në këtë zonë të majtët të fitonin, kandidatja e përzgjedhur nga LSI-ja, Diana Mile humbi kundrejt kandidatit të djathtë Eduart Kapri edhe pse në votat që kanë marrë në këshillin bashkiak, PS deri në gjysmën e kutive të numëruara kishte marrë dje, rreth 2.673 vota dhe LSI kishte marrë 2.464 vota.

Të dyja së bashku, janë votuar nga kutitë e numëruara deri në orët e para të mesnatës – me rreth 5.000
deri 6.000 vota, ndërsa PD kishte marrë afërisht 2.581 vota. Në një analizë të thjeshtë, edhe pse dy partitë e koalicionit PS-LSI kanë marrë më shumë vota sesa PD, nuk kanë mundur të fitojnë kandidatin për kryetar. Një gjë e tillë të çon në një logjikë të thjeshtë, sipas së cilës, votuesit e PS-së
nuk kanë mbështetur kandidaturën e vendosur nga aleati i tyre për kryetar bashkie.

E njëjta situatë pak a shumë kishte rrezik të ndodhte edhe në Berat, që edhe pse një bashki e njohur
si bastion i së majtës, solli një fitore tepër të ngushtë të kandidatit të LSI-së, Petrit Sinaj. Rasti tjetër është ai i Mallakastrës në qarkun e Fierit. Nga rezultatet e para, PS dhe LSI për këshillin bashkiak janë votuar me rreth 3.300 vota, ndërsa PD me 1.100 vota. Mallakastra është një nga bashkitë e
humbura të LSI-së.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: