NGA JETON SELIMI

Vllaznia do të paraqitet me besim në Korçë, përpara sfidës së të shtunës në orën 17:00 me Skënderbeun. Pas ecurisë pa pësuar humbje në kampionat, në seancën stërvitore të fundit, që mbylli përgatitjet e kuqebluve, trajneri Armando Cungu u shpreh optimist se shkodranët kanë shanse të regjistrojnë rezultat pozitiv përballë kampionëve në fuqi.

“Jemi gati për këtë ndeshje. Edhe pse do ta donim ta luanim në Shkodër, për të shfrytëzuar momentin e mirë që po kalojmë, por edhe për të pasur pranë tifozët tanë, tashmë kjo nuk përbën problem. Luajmë ndaj një skuadre shumë të fortë, por kjo nuk na tremb. Vllaznia po kalon një moment të mirë dhe prandaj duhet ta shfrytëzojmë atë, për të synuar rezultat pozitiv edhe ndaj Skënderbeut. Nuk do të ishte çudi nëse do ta merrnim. Vërtetë korçarët kryesojnë me meritë kampionatin, por edhe ne kemi synimet tona për të mos dalë pa pikë nga kjo ndeshje”. Mungesat e Markut në mbrojtje dhe Bardullës në mesfushë përbëjnë shqetësim, por trajneri beson se Vllaznia mund ta thellojë rekordin e ndeshjeve pa pësuar gola, ndërsa foli edhe për ngërçin e sulmuesve, që po shënojnë pak.

“Mungesa e Markut dhe Bardullës na krijon disa probleme, sepse kishim krijuar stabilitet me ta, si në krahun e majtë të mbrojtjes, ashtu edhe në qendër të mesfushës. Megjithatë, skuadra është e përbërë nga 25 futbollistë dhe nuk shqetësohem. Në bazë të statistikave, këta djem kanë barazuar një rekord 43- vjeçar të mospësimit të golave në katër ndeshjet e para të kampionat. Pse jo, këtë rekord ta çojmë edhe më tej për të ruajtur të paprekur portën tonë. Njëkohësisht, e kemi të qartë se puna jonë nuk është vetëm të mbrohemi. Duhet edhe të shohim përpara. Vërtetë kemi shënuar pak deri më tani, por nuk ekziston një problem specifik, bëhet fjalë vetëm për një ngërç psikologjik, që besoj se futbollistët do ta kalojnë”.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: