TIRANË- Një delegacion i Komisionit të Jashtëm të Kuvendit, i kryesuar nga kryetarja Arta Dade, zhvilloi një vizitë zyrtare në Republikën Çeke, me ftesë të homologut çek, Karel Schwancenberg.

Në takimet e zhvilluara me zyrtaret çekë u diskutua për nxitjen e bashkëpunimit mes dy vendeve në të gjitha fushat. Duke u ndaluar në bashkëpunimin ekonomik znj. Dade theksoi se Kuvendi dhe Qeveria Shqiptare duan të shohin më shumë investime çeke në Shqipëri, pasi ka hapësira të shumta të paeksploruara nga të dy vendet, sidomos në energjetikë, infrastrukturë, turizëm etj.
Sa i takon zhvillimeve të fundit në arenën ndërkombëtare Dade tha se duke marrë në konsideratë krizën e emigracionit dhe valën me të cilën është përballur Evropa Juglindore, kriza në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, sfida që ISIS po i bën sigurisë në Evrope e më gjerë, të gjitha këto shtrojnë nevojën e përshpejtimit të integrimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Me këtë rast ajo theksoi se Qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë po punojnë fort në ndërmarrjen e reformave të rëndësishme, si ajo në fushën e energjisë, luftën kundër evazionit fiskal dhe së fundi, konsensusi i arritur për reformën në drejtësi, e afrojnë Shqipërinë më afër me Bashkimin Evropian.

Nga ana tjetër, u shpreh znj. Dade një përshpejtim i proceseve integruese do ta bëjë Ballkanin Perëndimor më të sigurtë dhe më të begatë, që do të thotë gjithashtu, një BE më e sigurtë dhe më e begatë. Delegacioni i deputetëvë shqiptarë gjeti mirëkuptimin e parlamentarëve dhe zyrtarë të lartë çeke për nevojën e përshpejtimit të proceseve integruese, nën dritën e e zhvillimeve në Evropën Juglindore dhe Lindjen e Mesme.

Zv/Ministri i Jashtem cek, Ivo Shramek u shpreh se kriza e emigracionit dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme na bën të mendojmë se BE duhet të fokusohet më shumë në Ballkanin Perëndimor. Znj. Dade vlerësoi rolin e konferencës së Ministrave të Jashtëm të vendeve të Vishegradit dhe Ballkanit Perëndimor, të organizuar së fundmi në Pragë, si një dëshmi e interesit të këtyre vendeve në përgjithësi dhe Republikës Çeke në veçanti, për përshpejtimin e proceseve integruese të rajonit tonë dhe krijimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor, sipas modelit të Fondit të Vishegradit dhe vendosjen e selisë së Sekretariatit të këtij Fondi në Tiranë dhe Drejtorin e parë ekzekutiv nga Shqipëria.

Bashkëbiseduesit çekë vlerësuan rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajonin e Ballkanit dhe kontributin e saj si një anëtare aktive e përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar në luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: