Akuza e Turqisë kundër ish-liderit të partisë palestineze Fatah, Mohammed Dahlan, për luajtjen e një roli në përpjekjen për grusht shteti të vitit 2016 në Turqi, e cila e vendosi atë në listën e terroristëve më të kërkuar të vendit, nuk është akuza e parë ndaj tij.

Dahlan ka një histori të gjatë të komplotimit kundër revolucioneve të pranverës arabe dhe është akuzuar se ka marrë pjesë në aktivitete kundër revolucionare që synonin pengiminn e grupeve islame, kryesisht Vëllazërisë Myslimane, drejt marrjes së pushtetit në vendet e tyre, siç ndodhi në Egjipt.

Në vitin 2012, Dahlan bashkëpunoi me Ministrin e atëhershëm egjiptian të Mbrojtjes, Abdel Fattah al-Sisi, për ta larguar Mohamed Morsin, presidentin e parë të zgjedhur në mënyrë demokratike në Egjipt.

Emri i tij u shfaq gjithashtu në Libinë e përfshirë nga konflikti, ku ai mbështeti, në emër të Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), komandantin e diskutueshëm ushtarak Khalifa Haftar në lindje të Libisë.

Një ish-zyrtar famëkeq i sigurisë dhe operator politik me qendër në Abu Dabi, Dahlan me vite të tëra fshihej në hijet e politikës palestineze.

Lindur në vitin 1961 në Khan Yunis në Rripin e Gazës, Dahlan drejtoi aparatin Palestinez të Sigurimit Preventiv ​​në Gaza nga viti 1995 deri në vitin 2000, pas themelimit të Autoritetit Palestinez në vitin 1994.

Përgjatë viteve, ndikimi i tij ishte përfshirë në akte dhune dhe frikësimi ndaj kritikëve, gazetarëve dhe anëtarëve të grupeve të opozitës, kryesisht nga Hamasi dhe Xhihadi Islam, duke burgosur anëtarët e të dy grupeve pa akuza zyrtare.

Një numër i të burgosurve vdiqën në rrethana të dyshimta gjatë ose pas marrjes në pyetje nga forcat e Dahlan-it.

Në vitin 2007, Dahlan u largua nga Gaza për në qytetin e Ramallahut në Bregun Perëndimor, pasi Hamasi mposhti përpjekjet e tij të mbështetura nga SHBA për të penguar kontrollin e grupit në rrip.

Ish-presidenti i SHBA-së George W. Bush e përshkroi Dahlan-in në atë kohë si “djali ynë”.

Në Ramallah në vitin 2011, Dahlan u përjashtua nga Fatah pas disa fërkimeve me presidentin e Autoritetit Palestinez (PA) Mahmoud Abbas. PA akuzoi Dahlan-in se u pasurua përmes korrupsionit financiar dhe komplotit duke minuar Abbas-in.

Që atëherë, Dahlan ka jetuar në EBA dhe është bërë këshilltar i Princit të Kurorës së Abu Dabit, Muhamed bin Zayed, ku ai komplotoi kundër revolucioneve të pranverës Arabe dhe zbatoi agjendën e ndërhyrjeve të EBA-së në vendet arabe dhe rajonale.

– Përpjekja e grushtit të shtetit në Turqi

Pas dështimit të përpjekjes për grusht shteti në Turqi në vitin 2016, emri i Dahlan-it u përmend si i dyshuar. Burime të sigurisë turke të nivelit të lartë raportuan se EBA bashkëpunuan me komplotistët e grushtit të shtetit, duke përdorur udhëheqësin në egzil të Fatahut si ndërmjetës.

Dahlan dyshohet se ka transferuar para për komplotistët në Turqi në javët para përpjekjes për grusht shteti dhe se kishte komunikuar me kreun e puçit të dështuar, Fetullah Gülen, dhe grupin e tij terrorist FETO.

Gjatë përpjekjes së mposhtur për grusht shteti ranë 251 dëshmorë dhe rreth 2.200 të tjerë u plagosën. Të premten, Turqia vendosi Dahlan-in në kategorinë e terroristëve më të kërkuar të vendit për shkak të lidhjeve me FETO-n, tha Ministria e Brendshme.

Për informata që çojnë në kapjen e Dahlan, Turqia ofroi shpërblim deri në 10 milionë lira turke (rreth 1,7 milion dollarë).

– Duar të përlyera në Libi

Në vitin 2017, Dahlan u hetua nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për përfshirje me Saif al-Islam Gaddafi, djali i dytë i sundimtarit të vrarë të Libisë, Muammar Gaddafi, dhe shefin e inteligjencës së Gadafit, Abdullah Al-Sanousi, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë vrasjen dhe persekutimet e civilëve.

Siç thuhet, EBA kishte përdorur Dahlan-in në përpjekjet kundërrevolucionare në Libi të kryesuara nga Ahmed Gaddaf Eldamm, një kushëri i diktatorit libian me qendër në Kajro.

Më vonë në vitin 2018, siç raportuan mediat, EBA kishin përdorur 30 miliardë dollarë të aseteve të ngrira të Libisë përmes Dahlan-it për të mbështetur gjeneralin Haftar në luftën e tij kundër qeverisë libiane të njohur ndërkombëtarisht.

– Ngatrrestar në Palestinë dhe një agjent izraelit

Në mars të vitit 2014, gjatë një takimi të Fatahut, Abbas akuzoi Dahlan-in për përfshirje në vrasjet e gjashtë figurave palestineze dhe vuri në dyshim rolin e tij në vdekjen e ish-liderit Jasser Arafat.

“U zbulua se gjashtë njerëz u vranë me urdhër të Dahlan-it”, tha Abbas pas një hetimi ndaj tij, por shtoi se Arafat nuk e publikoi raportin.

Ai tha se Dahlan ishte pjesë e një komploti izraelit për vrasjen e komandantit të krahut ushtarak të Hamasit, Salah Shehada, i cili u vra më 22 korrik të vitit 2002.

Dahlan akuzohet gjithashtu se i ka mundësuar Izraelit blerjen e pasurive të patundshme pranë Xhamisë Al-Aksa. Në disa raste, udhëheqësi palestinez Kamal al-Khatib akuzoi Dahlan-in dhe EBA-në se ishin pjesë e komploteve për të blerë shtëpi dhe pronë palestineze në qytetin e vjetër të Kudsit të okupuar.

Muajin e kaluar, ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu akuzoi Dahlan-in si “kryebandit terrorist” dhe shtoi se “ai është një agjent izraelit”.

– Në kërkim të udhëheqjes palestineze

Raportet e mediave theksojnë se Egjipti, Jordania dhe EBA janë duke bashkëpunar rreth një plani që Dahlan të bëhet kreu i ardhshëm i Autoritetit Palestinez.

Po ashtu është raportuar se EBA zhvilluan bisedime me Izraelin në lidhje me strategjinë për të instaluar Dahlan-in.

Një pikëpamje e mbajtur gjerësisht në qarqet politike palestineze është se përfshirja e Dahlan-it në punët e jashtme është pjesë e një strategjie të hartuar për të forcuar statusin e tij si pasardhësi evident i Abbas-it.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb