LONDËR

Një ofendim i artikuluar nga Boris Johnson për francezët në periudhën kur ai ishte ministër i Punëve të Jashtme është censuruar nga një dokumentar i BBC-së vitin e kaluar, me kërkesë të Ministrisë së Jashtme, raportoi sot ”Daily Mail”.

”Sipas tabloidit, ish-shefi i diplomacisë deklaroi se francezët po sillen si idiotë në lidhje me Brexit, një koment që duhej të shfaqej në një dokumentar të BBC-së, por Ministria e Jashtme kërkoi që kjo frazë të pritej në montazh, me dyshimin se do të kishte pasoja në marrëdhëniet mes dy shteteve”, konfirmon e përditshmja.

Boris Johnson, i cili dha dorëheqjen në korrik 2018 nga qeveria, pas mosmarrëveshjeve për strategjinë e zgjedhur nga kryeministrja Theresa May për Brexit, po përpiqet aktualisht ta zëvendësojë këtë të fundit në Downing Street.

Ai paraqitet favorit përballë finalistit tjetër, shefit aktual të diplomacisë, Jeremy Hunt për shkak të popullaritetit në mesin e aktivistëve të bazës së partisë së tij, por kundërshtarët e tij sulmojnë karakterin e tij të paparashikueshëm dhe aftësinë për të qeverisur.

Johnson ishte intervistuar në kuadër të një dokumentari me tre pjesë me titull “Inside the Foreign Office” e publikuar në nëntor 2018 në BBC Two.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb