Derbi i kryeqytetit prodhoi pak spektakël por mbetet një sfidë që nuk i humbet kurrë shkëlqimi dhe rëndësia. Në një 90-minutësh me pak rastet ai që bëri diferencën ishte sistemi VAR dhe një penallti që në fund i dhuroi Tiranës suksesin në derbin e parë sezonal.

Bardheblutë nisin arratinë ndërsa në shtëpinë e kuqe bëjnë moviole, por fakt është, që kjo ecuri shumë negative vë në pikëpyetje të madhe të gjithë projektin me Ilir Dajën në stol. Trajneri i mirënjohur, Shpëtim Duro, i ftuari special në News24, në emisionin Sport News, të moderuar nga Enxhi Biba, bëri një analizë të plotë të asaj që prodhoi derbi, ku gaboi Partizani dhe si kush është përgjegjës për këtë situatë të vështirë që po kalon klubi i kuq. Duro vlerësojë Tiranën që me meritë ndodhet në krye:

VAR – “VAR është një fat i madh, si të gjithë e kam vuajtur në kurriz si trajner në karrierë kur nuk kishte. Është pozitive që ka hyrë VAR-i. Kur ishim trajnerë më parë mendonim që të hënën kush arbitër do të jetë. VAR-i ka eliminuar këto, mund të bëhet ndonjë gabim por janë jashtëzakonisht minimale.

Unë nuk mund të ndërhyj tani se ka diskutime. Kishte edhe në Inter-Juventus, edhe aty ishte pak a shumë fotokopje me të Belicës. Është një moment penalltie që arbitri kryesor nuk e akordoi, por pas konsulencës me VAR, normalisht kanë vendosur që ajo është 11-metërsh.

Nuk di të them më shumë por kam parasysh që edhe ne kemi bërë gabime në momente emocionale, është e vështirë pas derbit të kontrollosh veten. Por unë i referohem trajnerit të Partizanit që pak a shumë i vuri fajin Belicës. Kjo tregon që ka diçka reale për sa i përket dhënies së 11-metërshit

Kjo ndeshje kam mendimin që nga mënyra se si u zhvillua, me pak raste me luftë në mesin e fushës, kam mendimin se kështu do të shkonte, se nuk pati cilësi loje.

Situata e Partizanit? – Unë kam mendim që këta drejtues si zoti Rama e njëkohësisht presidenti Demi kanë investuar, kanë sjellë shumë futbolliste dhe normalisht puna e drejtuesve në këtë moment përfundon. Aty pastaj është përgjegjësi e hallkave të tjera. Unë them dhe e kam përmendur disa herë, që Partizani ka shumë futbollistë, shumë lojtarë dhe këta kanë ardhur me kosto të lartë financiare.

Se si kanë ardhur, me apo pa dijeninë e trajnerit, janë probleme të tjera. Unë di që para kampionatit janë dy goditje të bujshme. Është Kaçe, një element kombëtareje që ka ardhur me kosto të lartë dhe Filipoviç. E di që ai ka ardhur me kosto, por nuk përmbush asgjë. Se kush ka ardhur e si, nuk e di, se jam i jashtëm. Por problemet e drejtuesve janë të krijojnë kushte dhe pastaj duan rezultate.

Pas çdo ndeshje çfarëdo të thuash është derbi, por përsëri e mbyll se është episodi që e vendosi ndeshjen. Unë i referohem trajnerit, përderisa thotë pati gabim, atëherë ishte 11-metërsh.

Deklaratat e drejtuesve – Për mua si trajner, që drejtori e presidenti të bëjnë deklarata të tilla, më lehtëson, por ka probleme që ndikojnë negativisht. Skuadra nuk prodhoi, por jo se Tirana ishte Superiore. Megjithatë, secili e zgjidh në mënyrën e tij. Të jemi realistë, Partizani nuk ka qenë, të paktën në epokën e Demit, në këto situata.

Skuadra është e plotë me futbollistë, dëmtime do ketë, por është problemi që janë 6 ndeshje që nuk ka bërë vaki që Partizani të mos marrë fitore, se derbin mund ta humbësh. Por vjen nga një situatë rezultatesh negative dhe derbi të jep mundësi për vazhdimësi.

Derbi ha koka trajnerësh – Kur drejtoja unë kisha dy ndeshje pa rezultate dhe kisha derbin. I thashë vetë presidenti Demi, i thashë “President do rri këtë ndeshje, po humba largohem, po fitova..”.

Fati desh që fitova dhe ecuria ishte e mirë deri në fund. Është ndeshje deçcizive në këtë aspekt, por nuk është e vetmja se edhe situata e Partizanit nuk ka qenë, nuk ka prodhuar lojë, nuk ka marrë pikët e duhura.

Përgjegjësitë – Drejtuesit bravo u qoftë që marrin përgjegjësitë, mua si trajner kur e merr përsipër drejtori më lehtëson. Por çdo gjë mund të ndryshojë se kampionati është i gjatë. Është ecuri negative të jemi realist, jo se e them unë, por se është e dukshme.

Duhen analiza me detaje, patjetër derbi ndikon për Tiranën dhe negativisht për Partizanin. Këtu është forca e drejtuesve, trajnerit, futbollistëve që të dalin nga kjo situatë. Partizani i ka elementët të dalë nga kjo situatë, akoma nuk ka mbaruar faza e parë e ka kohë, por të shohim a do të ketë forca për të reaguar.

Nuk është problemi i kësaj ndeshje që Tirana nuk dha e Partizani ishte super që i iku ndeshja nga duart. Ishte ndeshje me shumë probleme nga të dyja, nuk ishte në nivelet e duhura. Por sigurisht Shehi e ambienti i Tiranës i gëzohen tri pikëve.

Vazhdimësia e skuadrave – Unë e di se sa e kanë vlerën këto tri pikë, megjithatë ka ndeshje shumë të forta, se Tirana luan me Vllazninë. Varet se si do të reagojnë pas këtyre problemeve që ka Partizani dhe problemeve që ka Tirana.

Deri në këto momente fituese është Tirana, nuk gjykohet, është në vend të parë, komplimente. Ka fituar me kundërshtarë të fortë radhazi, meritë e skuadrës, trajnerit. Ka në përbërje cilësi, janë futbollistë që po luajnë jashtëzakonisht mirë.

Tirana – Për mua ka dy lojtarët më të mirë në mesfushë, Totre dhe Toli. Toli është taktik, i nevojshëm për skuadrën, trajneri e përdor në shumë pozicione dhe dje ka qenë ndër lojtarët kryesorë.

Kam pak rezerva, por në ndërrimin që bëri kur hoqi Limajn për Xhixhën, nuk është problemi i emrit, por në atë kohë i dha territor në mesfushë dhe sigurisht mbeten me dy mesfushorë në raport me tre të Partizanit dhe i dha pak impuls. Ai ndoshta ka menduar strategji tjetër. Fituesi nuk gjykohet, por besoj edhe ai ndoshta besoj ishte përgatitur me strategji për të marrë maksimumin.

Partizani – Ai Filipoviç në fund të pjesës së parë duhej të dilte, një futbollist me 45 minuta me kuota të larta financiare nuk bën një veprim dhe i ra gjithë barra Junior sa në krah, sa mbrapa. Mund të ndërhynte më shpejt në disavantazh”, – tha Duro

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb