NGA: JETON SELIMI*
Përballja mes Skënderbeut dhe Tiranës pritet me shumë interes nga të gjithë tifozët për shkak edhe të rivalitetit në rritje mes këtyre dy ekipeve. Korçarët, që këtë sezon kanë triumfuar në dy takimet e para ndaj bardhebluve, presin një Tiranë që ka një ecuri fantastike në kampionat, ndërsa është afruar në 7 pikë diferencë me Partizanin e vendit të dytë. Në kampin bardheblu kjo ndeshje shikohet si një sfidë që duhet fituar, ndonëse përballë është ekipi më i mirë i 5 viteve të fundit. Trajneri Daja kërkon që nga Korça të vijë duarplot.

“Humbja me Skënderbeun në shtëpi është harruar, sepse gjatë kohëve të fundit kemi bërë një ecuri pozitive dhe besoj se nuk do të ndikojë aspak në sfidën e radhës. Kjo ndeshje është vetëm tri pikë, për momentin nuk e kemi rival Skënderbeun, por nëse fitojmë, ndoshta mund ta kemi edhe rival më mbrapa”. Por trajneri i 24 herë kampionëve ka hasur jo pak probleme me dëmtimet gjatë këtyre ditëve, ku pa dyshim të gjithë kanë peshën e tyre në formacion, ndonëse pa golashënuesin më të mirë të ekipit në Korçë do të jetë e vështirë. Gjithsesi, për Ilir Dajën asgjë nuk është e pamundur nëse ekipi luan me forcën e grupit, ndërsa me eliminimin nga Kupa e Shqipërisë, kërkon që zonën europiane ta arrijë nga kampionati.

“Ndeshja në Korçë i ka të tria rezultatet brenda, edhe pse luajmë me ekipin e vendit të parë dhe e respektojmë për organizimin që kanë si klub dhe si skuadër. Këtë nuk e them për të justifikuar ndoshta një rezultat jo të mirë, sepse ne do shkojmë për të marrë maksimumin në Korçë. Përveç mungesave që kemi, edhe lojtarët që kemi në dispozicion janë të gatshëm për ta përballuar këtë sfidë. Bakaj është pika jonë e referimit në sulm dhe mungesa e tij është e ndjeshme brenda grupit, por karakteri i ekipit tregohet në momentet kur ka vështirësi. Një ekip me mentalitet fituesi duhet ta tregojë karakterin në momentet e vështira”.

Skënderbeu-Tirana do të luhet ditën e sotme në orën 18:00 në qytetin e Korçës, teksa pas shlyerjes së dënimit, tifozëria bardhekuqe do mund ta mbështesë ekipin e saj nga shkallët e stadiumit.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: