TIRANË- Agim Ndregjoni, kunati i Shkëlzen Dumanit, një prej besimtarëve myslimanë shqiptarë që besohet të ketë humbur jetën gjatë luftimeve në Siri, u rrëfye dje përpara Gjykatës së Krimeve të Rënda në procesin ndaj nëntë të akuzuarve për rekrutime xhihadiste. Ndregjoni shpjegoi para gjykatës se Shkëlzen Dumani ishte dhëndri i familjes, pasi ishte martuar me motrën e tij të vetme, Miden.

Nga martesa kishin sjellë në jetë dy fëmijë, Evën dhe Endrin, të cilët babai i tyre i mori me vete në Sirinë e shkatërruar nga lufta. Mandej, dëshmitari shpjegoi se kunati i tij përpara se të largohej, kishte shitur shtëpinë ku jetonte bashkë me familjen. “Shkëlzeni i kishte thënë motrës se do të shiste shtëpinë dhe do të blinin një tjetër. Kanë vajtur te noteri dhe Midja ka firmosur, pa e ditur që po i jepte të drejtë bashkëshortit për të kaluar fëmijët jashtë vendit”, tha dëshmitari. “Me lekët që mori nga shitra e shtëpisë – shpjegoi dëshmitari – Shkëlzeni është larguar në drejtim të Sirisë.

Pas shitjes së shtëpisë, Shkëlzeni ka folur dhe motrën dhe i ka thënë se do të shkonte në fundjavë në Shkodër me fëmijët dhe disa vëllezër myslimanë. Nëse ju jepej mundësia, mund të kalonin edhe në Mal të Zi”, u rrëfeu Ndregjoni. Pak ditë pas largimit, Ndregjoni tha se kishte mësuar që kunati i tij Shkëlzeni ishte larguar drejt Sirisë, bashkë me fëmijët e mitur. Ndregjoni i tha gjykatës se pas largimit të kunatit me fëmijët, kanë nisur kërkimet për të mësuar për fatin e tyre. “Kam Takuar Bujar Hysën dhe i kërkova kontakt me Shkëlzenin.

Bujari më tha ‘nuk di asgjë, por po mësova gjë do të të them’. Më pas takova dhe Orion Reçin, që gjithashtu që më tha se nuk dinte gjë”, u shpreh dëshmitari. Ai tha më tej se kishte mësuar se natën para se të udhëtonte drejt Sirisë, Shkëlzeni kishte fjetur në shtëpinë e Orion Reçit. “Pasi mësova këtë fakt, vajta për ta takuar prapë Orionin. E pyeta përse nuk më kishte treguar gjë, ai më tha: ‘Nuk më pyete’. U shpreh Ndregjoni. Lajmin për vrasjen e kunatit në Siri, dëshmitari tha se e kishte mësuar nga nëna e Shkëlzenit.

Ndërkohë, sa i përket fatit të dy të vegjëlve, daja i tyre, Ndregjoni, deklaroi në gjykatë se gjyshja e fëmijëve ka udhëtuar drejt Sirisë dhe ndodhet atje bashkë me fëmijët. “Me fëmijët kemi folur në ‘Skype’, thonë që janë mirë”, e mbylli dëshminë e tij Agim Ndregjoni. Prokuroria e Krimeve të Rënda vendosi më pas të heqë dorë nga pyetja e Mide Dumanit, nënës së dy fëmijëve që ndodhen në Siri. Mide Dumani u shoqërua nga forcat e policisë një seancë më parë për të dëshmuar në proces, por nuk mundi për arsye shëndetësore.

Procesi ndaj nëntë të pandehurve që akuzohen për rekrutime të besimtarëve myslimanë në Siri po shkon drejt fundit. Sipas prokurorisë, të pandehurit kanë dërguar në Siri të paktën 70 besimtarë myslimanë, të cilët atje janë bërë pjesë e luftimeve përkrah organizatave terroriste. Nga të dhënat e deritanishme, dyshohet që të paktën 15 besimtarë janë vrarë gjatë luftimeve. Në Siri mendohet se ndodhen dhe një numër i madh fëmijësh shqiptarë, ndonëse shifra e saktë nuk dihet.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb