Pas fitoreve radhazi në kampionat dhe në Kupë, por mbi të gjitha pas rikuperimit të dy pikëve me kreun, Skënderbeu është gati për të testuar forcën përballë Laçit. Në një transfertë delikate, të besuarit e Ilir Dajës do të shikojnë vetëm tri pikët si mënyrën e vetme për të qëndruar në garë.

I këtij mendimi është edhe trajneri i Skënderbeut, i cili në një intervistë për “Panorama Sport” bën thirrje për përqendrim dhe vlerësim maksimal të kundërshtarit.

Daja 1

Daja, me katër fitore radhazi në kampionat dhe Kupë mund të themi se Skënderbeu gëzon një gjendje psikologjike maksimale?

Natyrisht që katër fitore janë gjithnjë të rëndësishme dhe i bëjnë mirë frymës së ekipit. Kemi marrë rezultate të mira edhe në Kupë, ku kemi siguruar finalen. Normalisht që ekipi është më i qetë tani dhe përqendrimi është maksimal për ndeshjen e radhës. Të paktën kjo është më e rëndësishmja, që ekipi të jetë i përqendruar vetëm te Laçi.

Sa e rëndësishme është ndeshja ndaj Laçit për kampionatin?

Po flasim për një takim delikat dhe të vështirë, pasi dihet që forca e ekipit të Laçit është në fushën e vet. Sigurisht që ne do të hyjmë në fushë gjithmonë me mendjen për të fituar takimin. Të paktën ndeshja do të luhet në një terren të mirë dhe kjo është e rëndësishme. Fusha e Laçit është ndër më të mirat në Superiore, kjo ka rëndësi për ne.

Çfarë ju tremb më shumë nga Laçi?

Pikësëpari, dua të them se kam respekt për çdo ekip që do të kemi përpara deri në fund. Edhe për Laçin respekti është maksimal. Natyrisht që do të luajmë me një ekip që kërkon pikë mbijetese dhe do të shfrytëzojë faktorin fushë për të marrë maksimumin. Është një ekip i fortë dhe me elementë të mirë. Do të mundohemi të tregohemi sa më oportunistë dhe të shfrytëzojmë takimin për të marrë tri pikët.

Duke parë formën e mirë që po kalon Skënderbeu, a është një ndeshje që mund të kalohet lehtësisht nga ekipi juaj?

Në të gjitha takimet kërkohet angazhim dhe nuk duhen marrë me lehtësi. Ky është çelësi i suksesit dhe ne do të mundohemi të shfrytëzojmë më së miri aftësitë e skuadrës. Do të duhet të jemi të përqendruar dhe të marrim maksimumin nga ajo që do të tregojmë në fushë.

Besoni te titulli, si objektiv kryesor i Skënderbeut?

Përderisa jam në krye të Skënderbeut dhe objektivat janë caktuar nga presidenca, normalisht që do të ecim në të tilla direktiva. Do të provojmë deri në fund të qëndrojmë në garë dhe të na jepet mundësia që të përfitojmë nga ndonjë hap fals i kundërshtarëve.

Pas rikuperimit të distancës, tani jeni 3 pikë larg kreut. E prisnit që Kukësi dhe Partizani të gabonin kaq shpejt?

Ne jemi duke bërë kampionatin tonë dhe do të mendojmë vetëm për ecurinë e Skënderbeut, më pas do të shohim ekipet e tjera. Mjafton që ne të fitojmë të gjitha ndeshjet deri në fund të sezonit dhe do të jemi atje për të diskutuar titullin. Se çfarë bëjnë kundërshtarët, do të interesohemi vetëm pasi të jetë mbyllur takimi ynë i radhës. Nëse ata do të gabojnë, atëherë më mirë për ne.

skenderbeu formacioni

Pas një faze në krye të skuadrës mund të themi se keni gjetur manovrën e duhur në ekip. A është ky Skënderbeu i Dajës?

Unë nuk e di se çfarë ka bërë Skënderbeu më herët, por mund të them që nën drejtimin tim kemi dominuar në lojë ndaj çdo ekipi, kryesisht me ndeshjet “big”. Kemi diktuar dhe vënë në vështirësi kundërshtarët. Tani është momenti që të fitojmë çdo ndeshje, përveç lojës së mirë.

Do të ketë rrotacion në skuadër për sfidën ndaj Laçit?

Mund të them që nuk do të ndryshojë shumë ekipi, pasi gjithçka është ashtu si duhet të jetë. Duhet vetëm që të mbajmë mirë formën e ekipit dhe të mundohemi të jemi sa më oportunistë dhe cinikë. Do të mundohemi që të balancojmë mirë forcat fizike në fushë, pasi kemi pasur kalendar të ngjeshur. Nuk do të ndryshoj ekipin, pasi kemi gjetur zgjidhjet e duhura.

Kualifikimi në Kupë duket se ju ka shndërruar në faktor edhe në kampionat. Jeni i këtij mendimi?

Ne prej kohësh u kemi dhënë përgjigjen e duhur zërave që na akuzonin për aleanca me ekipet e tjera, duke e treguar në fushë. Kualifikimi në Kupë është diçka e mirë, pasi qëndrojmë në garë për një tjetër synim të klubit. Në një moment të tillë të kampionatit mund të them se dalja e Skënderbeut në finale do ta zbukurojë më shumë Superioren, pasi janë plot 9 ekipe që do të luajnë për objektivat e ndryshme, si për titull, ashtu edhe për mbijetesë, por edhe për një vend në Europë.

Pra, po thoni se kualifikimi i Skënderbeut në finale ka qenë më shumë në të mirë të kampionatit?

Jo, ka qenë në të mirën tonë pikësëpari, pasi do të kërkojmë një trofe që klubi nuk e ka fituar asnjëherë. Më pas hap rrugën edhe për një tjetër ekip që të hyjë në Europë dhe të zbukurojë më shumë garën në këtë fund sezoni.

Si i keni pritur fjalët e kolegut Josa, i cili theksoi se Tirana ishte një autostradë me gropa?

Unë e kam bërë shumë kohë më parë këtë deklaratë, në momentin kur Josa nuk ishte në stolin e Tiranës, por këshilltar i presidentit. Nuk e kam pasur as me Josën, as me asnjë koleg tjetër këtë deklaratë. E kam bërë vetëm për të treguar punën që është bërë me atë ekip dhe se ishte në përputhje me objektivat e vendosura nga klubi. Për sa i përket faktit se kush i ndërton autostradat dhe kush i prish, nuk më takon mua të flas./panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: