Kryetarja e KQZ-së në Kosovë, Valdete Daka deklaroi se zgjedhjet do të mbahen sipas ligjeve në fuqi, ndërsa iu bëri apel partive politike që t’i përmbahen Kushtetutës.

Daka shtoi se organizimi i zgjedhjeve nuk do të ishte i mundur pa bashkëpunimin ndërinstitucional.

“Jemi të vetëdijshëm që bashkëpunimi ndërinstitucional është i domosdoshëm për ti shërbyer zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Qëllimi ynë është që zgjedhjet të mbahen në përputhje me ligjin dhe të reagojmë kur cenohet integriteti i zgjedhjeve dhe e drejta e votës”, ka thënë Daka. Ajo ka shtuar se KQZ është angazhuar vazhdimisht për organizim të zgjedhjeve të besueshme dhe me standard të lartë. “Mes sfidave të shumta përfshirë këtu edhe kohën e shkurtër KQZ është duke u përkushtuar në përmbushjen e detyrave që dalin nga Kushtetua dhe ligji për zgjedhjet e përgjithshme. Dua t’i garantoj të gjithë pjesëmarrësit në këtë proces zgjedhor se KQZ mbetet e përkushtuar për organizim e zgjedhjeve sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi”, u shpreh Daka.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb