NGA KLODJANA HAXHIAJ

DURRES- Kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ka firmosur shkarkimin e drejtoreshës së Shtëpisë së Fëmijës në Durrës, Heroina Duka, pas urdhrit të ministrit të Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi.

Kryebashkiaku Vangjush Dako ka emëruar drejtoreshë të komanduar të Shtëpisë së Fëmijës, Olta Bajraktarin, specialiste për mbrojtjen e fëmijëve pranë Shërbimit Social në bashkinë Durrës.

Shkarkimi i drejtoreshës Heroina Duka erdhi pas ngjarjes skandaloze që ndodhi në institucionin që ajo drejtonte, ku një fëmijë 3 vjeç e gjysmë ishte dhunuar nga kujdestarja e tij, Dafina Fama.

Ministri Klosi e vlerësoi rastin tepër të rëndë dhe kërkoi largimin e drejtoreshës për përgjegjësinë e menaxhimit dhe drejtimit të stafit, si dhe përgjegjësinë për mirëqenien dhe sigurinë e fëmijëve.
“Reagimi i Bashkisë së Durrësit ka qenë i menjëhershëm dhe sot drejtoresha e atij institucioni nuk është më në drejtim të tij”, ka deklaruar ministri i Mirëqenies Sociale Blendi Klosi.

Sipas tij, duke marrë shkas nga rastet e dhunës të denoncuara në media së fundmi, Shërbimi Social shtetëror ka ndryshuar kontratat e punës, për punonjësit socialë.

“Të gjithë punonjësit social tani kanë nënshkruar një marrëveshje dhe një kontratë të pastër ligjore me Institutin e Shërbimit Social në të cilën ata e pranojnë se çdo akt dhune i dënon ata penalisht”.
Ndërkohë, ndaj kujdestares Dafina Fama, është dhënë masa “arrest me burg”.
(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb