DURRES– Infrastruktura rrugore ka qenë temë e diskutimit që kandidati i Aleancës për Shqipërinë Evropiane për bashkinë e Durrësit, Vangjush Dako ka bërë me banorë të kësaj njësie. Dako është shprehur se Lagjja 17 ka përfituar disa investime të rëndësishme që do të vazhdojnë me po kaq intensitet.

“Ne kemi përfunduar shtrimin dhe asfaltimin e afro 90% të rrugëve në qytet dhe gjatë këtij viti përfundojmë edhe pjesën e mbetur. Do të mbyllim brenda vitit 2016 rikonstruksionin e të gjitha rrugëve problematike, siç janë ato që kryqëzohen pranë drejtorisë së Sigurimeve Shoqërore”, është shprehur Dako.

Ai ka mbështetur shqetësimin e një prej banorëve të pranishëm rreth çështjes së eksportimit të krahut të punës jashtë vendit.

Kryebashkiaku i qytetit bregdetar është shprehur se ky fenomen mund të ndalet vetëm duke mbështetur sipërmarrjen dhe duke krijuar klimën e duhur në mbështetje të biznesit, sepse vetëm kështu do të hapen vende të reja pune dhe të rinjtë nuk do të kërkojnë më të ikin jashtë për punë.

“Shembulli më i mirë është Zona e Lirë Ekonomike në Spitallë, një zonë me sipërfaqe 480 hektarë, të cilën Qeveria në bashkëpunim me bashkinë e kanë vënë në dispozicion të investitorëve të huaj për çmimin 1 euro. Unë jam i bindur se sapo të nisë që të zbatohet ky projekt gjigand, jo vetëm në Durrës që nuk do të ketë më të papunë, por edhe në qytetet e tjera afër Durrësit do të ketë shumë persona që do të punësohen”, shtoi Dako në takimin me banorët e Lagjes 17.

(el.sp/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb