DURRES- Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Evropiane për bashkinë e Durrësit, Vangjush Dako, ka deklaruar në një takim të rinj të Sukthit që votojnë për herë të parë se gjatë mandatit të ardhshëm do të ndërtohen 14 shkolla të reja si dhe do të hapet një shkollë profesionale për bujqësinë.

Dako ka deklaruar se të gjithë shkollat e reja që do të ndërtohen do të kenë sipërfaqe të madhe, si dhe terrene sportive.

“Do të ndërtojmë 14 shkolla të reja ku secila do të ketë sipërfaqe 5 mijë metra katror dhe një shkollë profesionale me drejtim bujqësinë, pasi për kohën që jetojmë sot është bërë i domosdoshëm aplikimi i teknologjive të reja edhe në fushën e bujqësisë. Ne duam që të rinjtë të fokusohen tek këto shkolla që do të pajisjen me teknologji inovative”, tha Dako.

Më tej, Dako deklaroi se të gjitha godinat e komunave dhe bashkive që i bashkohen Durrësit do të kthehen në qendra multifunksionale sociale për pleqtë e vetmuar, për gratë e dhunuara, fëmijët dhe të rinjtë pra për të gjithë njerëzit në nevojë pasi Bashkia e Durrësit do të jetë gjithmonë në mbështetje të fuqishme për të gjithë njerëzit në nevojë në çdo zonë të Durrësit.

Duke biseduar me të rinj të zonës së Sukthit kryebashkiaku Dako u tha atyre se ka për synim orientimin e të rinjve drejt arsimimit dhe sportit, duke penguar që ata të shkojnë drejt veseve. Në këtë kontekst Dako shtoi se të rinjtë duhen orientuar drejt shkollave profesionale pasi sipërmarrësit kërkojnë punonjës të kualifikuar. Po kështu, Dako tha se të gjitha terrenet publike që gjenden në të gjitha fshatrat do të jenë në dispozicion për ngritjen e shkollave të reja dhe terreneve sportive.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb