KORINTH, GREQI

Policia greke ka shkatërruar një organizatë të dyshuar kriminale, duke vënë në pranga një grup që besohet se kryenin grabitje. Operacioni për arrestimin e shtetasve të dyshuar është zhvilluar gjatë 24 orëve të fundit në zonën e Korinthit.

Hajdutët kishin qenë nën mbikëqyrje nga agjentët e policisë për disa ditë, ndërsa operacioni për shkatërrimin e organizatës, i konsideruar si një nga më të rrezikshmit në Greqi, filloi në zonën e Kalamatës dhe u konkretizua në zonën e Korintit, ku pati edhe përpalasje me armë zjarri mes policisë dhe shqiptarëve.

Dy shtetas shqiptarë u plagosën gjatë përleshjes me armë, ndërsa i treti u arrestua pas disa minutash ndjekje në kodrat e zonës Akro Corinth.

  • foto galeri
  • foto galeri

Gjatë operacionit janë arrestuar shqiptarët:

Eljon Deraj

Andrea Caushaj

Amarildo Caushaj

Janë shpallur në kërkim nga policia greke:

Arsen Bajrami dhe Ernest Mustaj

Në automjetin e tyre u gjetën kallashnikov dhe pistoleta, si dhe mjete të përdorura për maskim si kapuç dhe paruke. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan thika, leva, si dhe gërshërë për prerje të metaleve.

Ndërkohë, një tjetër çift shqiptar është arrestuar sot në zonën e Prevezës të cilët dyshohet se kanë marrë makina me qira që më pas janë përdorur për vjedhje nga grupi shqiptar. Policia Greke thotë se banda kreu disa vjedhje bankash dhe dhjetëra vjedhje dyqanesh në zonën e Peloponezit dhe Epirit.

Metodat e përdorura prej tyre konsiderohen jashtëzakonisht të ashpra. Ata kërcënuan dhe frikësuan viktimat e tyre, dhe janë përgjegjës për disa grabitje të dhunshme që rezultojnë me lëndime të viktimave. Policia Greke po vazhdon kërkimin për dy të arratisurit, madje ka vendosur edhe helikopterë me fuqi termike.

Fotografitë e tyre janë shpërndarë në të gjitha vendkalimet kufitare me Shqipërinë, kurse janë angazhuar policë me veshje civile duke patrulluar zonën e Korintit, në mënyrë që t’i arrestojnë sa më shpejt.

(Dionis Xhafa/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb