Forca e Sigurisë së Kosovës ka publikuar foto të një bombe, e cila u gjet mbrëmjen e kaluar jo shumë larg pikës kufitare Merdare, e cila u shpërthye në mënyrë të kontrolluar nga FSK e KFOR-i.

“Ekipi i EOD-së së Kompanisë së Deminimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, së bashkë me ekipet e EOD-së së KFOR-it eliminojnë rrezikun nga një bombë Mk 84 me peshë 907 kg. Kjo bombë është larguar nga tuneli i hekurudhës në Merdare ku është duke u pastruar nga organizata humanitare e deminimit NPA”, thuhet në postim.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Më herët Policia e Kosovës njoftoi se pjesëtarët e KFOR-it kanë shpërthyer në mënyrë të kontrolluar një mjet shpërthyes një kilometër larg pikës kufitare Merdare.

Baki Kelani, zëdhënës i policisë së Kosovës ka bërë të ditur se mbrëmë rreth orës 17:30 në stacionin policor kufitar Merdare nga pjesëtarë të KFOR-it është kërkuar ndalimi i përkohshëm i qarkullimit të personave dhe automjeteve, për arsye se janë duke e bërë shpërthimin në mënyrë të kontrolluar të një mjeti shpërthyes.

“Lokacioni i mjetit shpërthyes ka qenë në distancë mbi një kilometër larg pikës kufitare, por për shkaqe sigurie për një kohë të shkurtër është ndërprerë qarkullimi”, ka thënë Kelani.

Rreth orës 18:20 rruga është liruar për qarkullim normal. Policia e Kosovës nuk ka dhënë detaje për llojin e mjetit shpërthyes.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: