Policia e Shtetit ka publikuar pamjet e super-aksionit të operacionit “Forac e Ligjit”, që nisi sot aktivitetin nga Shijaku për goditjen e krimit të organizuar.

Në video, shihen efektivët e “Anti-KÇK”, të mbërthyer me armë të rënda, si dhe të mbuluar me kapuça, të cilët kanë rrethuar resortin luksoz “Golden”, ku u mbajt 49-vjeçari Jan Prenga, pas pengmarrjes dhe vrasjes makabre.

Një efektive e operacionit “Forca e Ligjit”, thekson se resorti “Golden” dhe një karburant, në pronësi të “kokës” së krimit, Altin Hajri, janë vënë nën sekuestro dhe brenda 15 ditësh dosja e tij do të kalojë në SPAK.

Deklarata e plotë:

Prej ditës së sotme ka filluar Operacioni Forca e Ligjit, me veprime konkrete në terren. Ky operacion ka për qëllim sekuestrimin e pasurive të krijuara nga krimi i organizuar.

Operacioni Forca e Ligjit do të zhvillohet nga Forca e Posaçme OFL në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me SPAK-un, agjencitë ligjzbatuese dhe partnerët, duke bërë të mundur evidentimin dhe goditjen me anë të sekuestrimit të pasurive të deklaruara apo të fshehura të personave apo grupeve kriminale që i kanë përfituar ato nëpërmjet aktivitetit kriminal në fushën e krimit të organizuar.

Në këtë kuadër, sot, në zbatim të ligjit special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar, Operacioni Forca e Ligjit ka vendosur sekuestron e parë mbi objektin kompleksi i shërbimeve “Vila Golden” dhe mbi një karburant të dhënë me qira një shoqërie për tregtimin e hidrokarbureve, që ndodhet në kryqëzimin Pjezge Xhafzotaj, Shijak, pronë e shtetasit Altin Bajram Hajri.

Ky shtetas është dënuar me burg nga autoritet italiane të drejtësisë, me urdhër arrestin e datës 15.08.2015, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim”.

Aktualisht, ky shtetas është shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit, në funksion të hetimeve për procedimin penal nr. 475, viti 2020, për veprën penale “Rrëmbim ose mbajtje peng e personit, e kryer në bashkëpunim”, ngjarje kjo që lidhet me rrëmbimin e shtetasit J. P.

Sekuestrimi i këtij objekti dhe i të gjitha pronave të shtetasit Altin Hajri bëhet në bazë të elementit të urgjencës të parashikuar në Ligjin Special.

Me vendosjen e kësaj mase sekuestroje, objekti kalon në administrim të Agjencisë së Administrimit të Aseteve, e cila në bazë të Ligjit Special është vendosur nën varësinë e Ministrisë së Brendshme.

Dosja pasurore e shtetasit Altin Hajri do t’i kalojë menjëherë SPAK-ut dhe në jo më shumë se 15 ditë SPAK-u duhet t’ia dërgojë Gjykatës Speciale, e cila ka 15 dite kohë për të konfirmuar masën e sekuestrimit duke hapur rrugën për konfiskimin përfundimtar të pasurisë së shtetasit Altin Hajri.

Pas konfiskimit, pasuria në fjalë i kalon përfundimisht Ministrisë së Brendshme, e cila do të vendosë për shfrytëzimin ose shembjen e këtij objekti, si edhe do të marrë në zotërimin e saj dhe do të përdorë për interesin publik paratë, makinat dhe tokat që aktualisht zotërohen nga ky shtetas.

Policia e Shtetit, nëpërmjet strukturës së posaçme OFL është e vendosur që në bashkëpunim me SPAK-un dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit ta çojë deri në fund këtë operacion jetik, me interes të madh kombëtar e ndërkombëtar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb