KORÇË

Policia e Korçës ka arrestuar mbrëmjen e kaluar një 31-vjeçar, me precedent të mëparshëm penal në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe krimeve kundër jetës e lirisë së personit.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në kuadër e zbatim të Planit të Masave “Për mbajtjen nën kontroll të personave me precedent kriminal, të personave që mbajnë armë zjarri, për parandalimin e ngjarjeve të rënda kriminale dhe zbulimin e autorëve të veprave penale” si edhe bazuar në informacione të siguruara në rrugë policore se një shtetas qarkullonte me armë zjarri në qytet, kanë organizuar punën dhe kanë bërë të mundur lokalizimin në lagjen nr. 7, të shtetasit K. M., 31 vjeç, banues në Korçë, i cili lëvizte me mjetin tip “BMW X5”.

Gjatë kontrollit që forcat e policisë ushtruan në mjetin e këtij shtetasi iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë tip “Beretta”, me 5 fishekë të cilët ishin vendosur 1 në folenë e armës dhe 4 të tjerë në krehërin e pistoletës, të cilat i posedonte pa leje.

Në vijim të veprimeve të mëtejshme, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, bënë arrestimin në flagrancë të 31-vjeçarit (i dënuar më parë për veprat penale “Kanosja”, “Armëmbjatja pa leje” dhe “Heqja e paligjshme e lirisë”).

Materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës të Rrethit Gjyqësor Korçë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb